
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar për projektin e Autostradës së Dukagjinit, duke thënë se është larguar nga mbështetja financiare.
Haradinaj tha se ideja për ndërtimin e kësaj autostrade dhe projektimi i saj ishin iniciuar gjatë kohës sa ai udhëhiqte me vendin, ndërsa me ardhjen në pushtet të Albin Kurtit, sipas tij, ky projekt është ndalur.
“Në Qeverinë Haradinaj, projektimi i Autostradës së Dukagjinit ka qenë një hap konkret drejt realizimit të një prej projekteve më të rëndësishme zhvillimore për Kosovën”, ka shkruar Haradinaj.
“Por, në vend që ky projekt të shtyhej përpara, Qeveria Kurti ka vendosur ta largojë nga mbështetja financiare, duke e lënë anash një proces që do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi, turizëm dhe zhvillimin rajonal”.
“Kjo nuk është thjesht një çështje buxheti, është çështje prioritetesh. Sepse çdo projektim i përfunduar është bazë për investim, për ndërtim dhe për zhvillim konkret”.
Sipas Haradinajt, heqja e mbështetjes është humbje kohe dhe mundësish për qytetarët e këtij rajoni.
“Heqja e mbështetjes financiare nënkupton shtyrje të projektit, humbje kohe dhe humbje mundësish për qytetarët e Dukagjinit”.
“Kjo autostradë do të lidhte Istogun, Pejën, Deçanin, Gjakovën, Rahovecin, Suharekën dhe Prizrenin në një korridor të vetëm ekonomik. Do të ulte kostot për bizneset, do të rriste investimet dhe do ta kthente Dukagjinin në një zonë shumë më konkurruese”.
”Pyetja është e thjeshtë: pse u largua nga financimi një projekt që i shërben drejtpërdrejt qytetarëve dhe ekonomisë së vendit? Sepse qytetarët e Dukagjinit nuk kanë nevojë për arsyetime, ata kanë nevojë për këtë autostradë”.



