Hasani: Kurti nuk do ta ketë votën time për asnjë çmim, as nëse e voton PDK-ja

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, ka deklaruar se nuk do të votojë Albin Kurtin për kryeministër në seancën e së dielës.
Hasani, i ftuar në “FIVE” në TV Dukagjini, u shpreh se nuk ka pasur dhe nuk do të ketë kurrë votë për Albin Kurtin edhe sikur partia ku bënë pjesë, Partia Demokratike e Kosovës, do të ketë votë për të, njofton Dukagjini.
“Unë kam deklaruar që nga fillimi se Albin Kurti votë timen si kryeministër nuk ka pas as nuk do të ketë me asnjë çmim edhe nëse Partia Demokratike do të pajtohej, vota ime do të jetë kundër sepse kur kam dalë në zgjedhje më 9 shkurt qytetarët kanë besuar në përgjegjësinë dhe fjalën time dhe unë do ta mbajë fjalën time për besimin që më kanë dhënë – nuk do të votojë qeverinë. Elektoratin e kam unë, partia më ka vendos në listë dhe pajtohemi, por 30 mijë qytetarë kanë besuar se nuk do ta votojë dhe unë i qëndrojë fjalës time”, u shpreh Hasani.
Hasani, mes tjerash, kritikoi ashpër thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për formimin e Qeverisë pa një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit, ku sipas tij vendimin e mori kryeparlamentari, Dimal Basha, me urdhër të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
“Vetë thirrja e seancës për formimin e Qeverisë pa një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit tregon se kemi të bëjmë me një parti-shtet. Duhej të mblidhej Kryesia e Kuvendit pavarësisht se sa nënshkrime kanë grumbulluar për thirrjen e kësaj seance. Tri partitë i kanë anëtarët e tyre se a janë thirre a jo nuk kemi konferencë e kemi vetëm deklarimin e kryetarit të kuvendit dhe kjo tregon se ai vetë ka vendos për këtë natyrisht me urdhër nga Albin Kurti. Për mua 8 muaj pas nëse nuk zgjidhjet qeveria janë pasoja për qytetarët, ekonomitë familjare dhe biznesore si dhe raportet e Kosovës me shtetet tjera janë krisur. Opozita ka heshtë dhe nuk ka reaguar sikur me qenë e kënaqur”, tha Hasani.



