Hasani: Mbajtja e seancës për Qeverinë është jokushtetuese

(Radio Evropa e Lirë) – Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, aktualisht profesor i të Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, konsideron se seanca e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së re të vendit, e cila është thirrur për të dielën, më 26 tetor, është jokushtetuese.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hasani thotë se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është ngutur që të dekretojë kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si mandatar për formimin e ekzekutivit dhe, siç shprehet, në mënyrë arbitrare ka konstatuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Konstituimi i Kuvendit është kontestuar nga Lista Serbe, e cila i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese pasi nënkryetar i Kuvendit nga radhët e deputetëve serbë u zgjodh Nenad Rashiq, nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
“Zonja Osmani, me ngutjen e treguar, ka bërë një shkelje serioze të Kushtetutës së Kosovës”, thekson Hasani.
Ai pret që një vendim i Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesën e Listës Serbe në të ardhmen, si dhe zgjedhja eventuale e Qeverisë së re nga Kuvendi i Kosovës, ditën e diel, do të jenë veprime që do të ndërthuren dhe komplikojnë situatën.
Radio Evropa e Lirë: Profesor Hasani, Gjykata Kushtetuese nuk ka publikuar deri më tash ndonjë vendim lidhur me ankesën e Listës Serbe ndaj zgjedhjes së nënkryetarit serb të Kuvendit, Nenad Rashiq, si dhe për kërkesën për masë të përkohshme. A e shihni si emergjencë një vendim të tillë, pavarësisht se gjykata ka afat ligjor prej 60 ditësh për një vendim, që nga 16 tetori kur Lista Serbe parashtroi ankesën?
Enver Hasani: Pa dyshim që kërkesa e Listës Serbe është qartazi e bazuar dhe ka substancë në raport me meritat e rastit: aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese e tregon qartë se propozimi i kandidatit për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e deputetëve serbë duhet të vijë nga partia ose koalicioni që ka fituar shumicën e votave serbe, dhe që në këtë rast është Lista Serbe. Ky nuk ka qenë rasti, sepse propozimi ka ardhur nga një shqiptar, zoti Dimal Basha, i cili fund e krye ka manipuluar shortin me qëllim mohimin e përfaqësimit politik të përfaqësuesve kushtetues të serbëve të Kosovës.
Emergjenca kryesore, ndërkaq, në raport me masën e përkohshme, lidhet përtej çdo dyshimi me pasojat e pariparueshme që krijohen nga formimi i qeverisë nga Kuvendi i pakonstituuar i Kosovës.
Me mandatimin e Kurtit, Osmani “shkeli Kushtetutën”
Radio Evropa e Lirë: Si e shihni dekretimin e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti si mandatar për formimin e Qeverisë së re nga ana e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, pa një vendim apo aktgjykim paraprak nga Gjykata Kushtetuese për kërkesën e Listës Serbe? A ka pasur afat për një gjë të tillë, që presidentja Osmani është dashur ta ketë parasysh me rastin e dekretimit?
Enver Hasani: Nuk është hera e parë që zonja Osmani e shkel Kushtetutën e Kosovës. Në fakt, në shumicën e kohës, ajo është sjellë në raport me Kushtetutën dhe ligjin sikur ato të mos ekzistonin fare. Ka qenë në një lloj sinkronie me zotin Kurti.
Afat nuk ka pasur, por gjykuar nga sjelljet e saj në të kaluarën, kjo ngutje për dekretim lë për të dyshuar për motivet e saj. Siç dihet, zonja Osmani për kryeprokuror të shtetit [v.j. rasti për dekretimin e Blerim Isufajt] ka orientuar palët në procedura të rregullta gjyqësore, jashtë çdo standardi, sepse nuk janë gjykatat e rregullta ato që vendosin për çështjen e zgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit. Fundja, zonja Osmani – këtu kemi qenë – ka pritur se çfarë do të thotë Gjykata Kushtetuese kur ka qenë në pyetje kërkesa e saj për konstituimin e këtij Kuvendi, të cilin Lëvizja Vetëvendosje e pati shpallur të konstituar [para aktgjykimit të fundit]. Çfarë ndryshoi tash? Asgjë.
Kjo shkelje është më seriozja deri më sot, sepse në mënyrë arbitrare është konstatuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës nga ana e zonjës Osmani, përkundër që janë në fuqi tri aktgjykime të qarta të Gjykatës Kushtetuese, të cilat thonë se konstituimi i Kuvendit ndodh vetëm atëherë kur për nënkryetar zgjidhet serbi që propozohet nga partia ose koalicioni i deputetëve serbë që përfaqësojnë shumicën e komunitetit serb në Kosovë. Gjykata, për më tepër, në aktgjykimin e fundit ka treguar se këtë të drejtë e humbin përfaqësuesit serbë vetëm atëherë kur nuk propozojnë kandidatin e tyre për nënkryetar. Ky nuk ka qenë rasti. Faji për moskonstituim ka qenë, gjithnjë sipas aktgjykimit të fundit, te deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët nuk kanë zbatuar detyrimin kushtetues për zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve të Kuvendit dhe, për rrjedhojë, për konstituimin e Kuvendit.
Zonja Osmani, me ngutjen e treguar, ka bërë një shkelje serioze të Kushtetutës së Kosovës, shumë më të rëndë se rasti [i ish- presidentit të Kosovës, Fatmir] Sejdiu, sepse ka prishur parametrat e funksionimit të organeve kushtetuese. Dekretimi në kohë vikendi mund të ndodhë vetëm në kushte të gjendjes së jashtëzakonshme. Ka precedentë në gjyqësinë kushtetuese evropiane kur janë anuluar dekretet e tilla të dhëna në kohë të tillë, ose kur përllogaritja e afateve nuk ka marrë parasysh kohën e pushimit standard të javës.
Ky dekretim, përveç që është bërë në fundjavë dhe në vigjilje të zgjedhjeve politike, në tërësi cenon funksionin primar kushtetues të presidentit të Republikës – neutralitetin dhe rolin ndërmjetësues e stabilizues të organeve dhe proceseve politike në vend.
Opozita është dashur ta dërgojë rastin e saj në Gjykatën Kushtetuese për shkelje të rëndë të Kushtetutës.
Kuvendi “nuk është konstituuar”
Radio Evropa e Lirë: Ndërkohë, pa pasur një vendim nga Gjykata Kushtetuese lidhur me kërkesën e Listës Serbe, Kuvendi i Kosovës të dielën do të mbajë seancën për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës. A prisni ndërthurje dhe komplikime të këtyre dy situatave?
Enver Hasani: Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar sipas urdhrit të tri aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, sipas germës dhe frymës së Kushtetutës së Kosovës dhe Rregullores së Kuvendit, e cila është akt me rëndësi kushtetuese, ose “Kushtetuta e Kuvendit të Kosovës”. Mbajtja e seancës për Qeverinë është jokushtetuese fund e krye.
Pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës u mbajt dhe në mënyrë brutale shkeli çdo dispozitë të urdhrit të tij. Pushteti, me aleatët e vet në shoqëri civile, sado të paktë, akoma pa u mbyllur seanca, konstatoi konstituimin – diçka që nuk ka ndodhur. Presidenca aprovoi këto konstatime absurde. Ndërkombëtarët heshtën, edhe pse e dinë mirë se gjendja është siç po e them unë.
Kjo sjellje nuk mund të mbetet pa pasoja. Në rend të parë, jam shumë i sigurt se kjo çon në përjashtimin e serbëve nga rendi kushtetues kosovar dhe në federalizimin e Kosovës, ku ata do të kenë një hapësirë juridiko-kushtetuese të ndarë nga hapësira e popullit shumicë. Kjo, siç e dimë, është parashikuar me Marrëveshjen e Ohrit dhe me draft-statutin e BE-së. Sjelljet e fundit të pushtetit të Kosovës ndaj serbëve vetëm sa kanë përligjur kërkesat serbe nga Marrëveshja e Ohrit dhe draft-statuti, që tani mund të marrin, dhe sigurisht që marrin, formën e njësisë autonome kushtetuese.
Ndërkombëtarët po heshtin, ndërkaq, me shpresë se qeveria e ardhshme do të dërgojë menjëherë në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e BE-së. Albin Kurti e di, siç e dinë të gjithë, se prioritet absolut i ndërkombëtarëve është dërgimi i draft-statutit [për Asociacionin e komunave me shumicë serbe] në Gjykatë Kushtetuese.
Këtë detyrim ndërkombëtar të Kosovës, që zoti Kurti e ka marrë më 2023, duhet ta zbatojë çdo qeveri që vjen në pushtet. Si duket, këtë më mirë nuk e bën askush tjetër veç vetë zotit Kurti. Pastaj gjërat shkojnë lehtë sepse, siç e dini, aty do të ketë një mekanizëm arbitrazhi që vendos për të drejtat dhe liritë e komunitetit serb në raport me pushtetin qendror në Prishtinë. Kjo është esenca e Republikës së Tretë të Kosovës.
Nëse formohet Qeveria, “ajo do të shpallet jokushtetuese”
Radio Evropa e Lirë: Cilat do të jenë procedurat në rast të një vendimi eventual në ditët në vijim të Gjykatës Kushtetuese në favor ose kundër kërkesës së Listës Serbe?
Enver Hasani: Nëse vjen deri te formimi i Qeverisë së Kosovës të dielën, atëherë është e sigurt se brenda 60 ditëve, e njëjta do të shpallet jokushtetuese. Kështu do të ndodhë në rast se Gjykata Kushtetues e vendos në favor të kërkesës së Listës Serbe.
Nëse Gjykata Kushtetuese shpall si kushtetues konstituimin e Kuvendit të Kosovës, votimin e deputetit Kurti dhe të ministrave të tjerë deputetë, atëherë përfundimisht do të rrënohet parimi themelor kushtetues i formimit të organeve qendrore pas zgjedhjeve dhe, në të ardhmen, konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë së Kosovës pas zgjedhjeve do të ndodhin sipas raportit të forcave politike dhe bazuar në atë se kush mund të terrorizojë më shumë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe sistemin e drejtësisë në përgjithësi.
Nëse Gjykata Kushtetuese shkel mbi tri aktgjykimet e saj për çështje të së drejtës kushtetuese materiale, atëherë do të ketë problem serioz për të mbrojtur rregullat fundamentale të profesionit dhe betimin e dhënë. Unë jam ndier keq, si gjithë komuniteti i juristëve, për terrorin dhe dhunën psikike që gjyqtarët kanë pësuar këta muajt e fundit, por kjo gjendje është kalimtare dhe mbetet në historinë kushtetuese të vendit si diçka e shëmtuar që e bartin mbi supet e tyre, sa të jenë gjallë, ata individë që kanë gjeneruar një terror të tillë primitiv.
Si pasojë e këtij terrori primitiv e brutal, Gjykata në aktgjykimin e fundit ka toleruar shkelje nga praktikat e mëparshme parlamentare dhe nga tri aktgjykimet e saj për ndarje të procedurës, por e ka bërë të qartë detyrimin sublim kushtetues të deputetëve për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Ky lëshim procedural, megjithatë, nuk mund të shërbejë si shembull për aspektin material të shkeljeve të rënda kushtetuese që kanë ndodhur në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Kosovës, të cilën pushteti e shpalli të konstituuar. Me sa duket, lëshimi procedural është keqkuptuar nga pushteti, për të vazhduar edhe më brutalisht me sulmin ndaj sistemit kushtetues.
Gjykata Kushtetuese, me rastin e vendosjes, sigurisht vendos edhe për fatin e vendimeve të një qeverie jokushtetuese dhe joligjore, sepse është prerogativë ekskluzive e saj. Ju e dini se në rastin [e ish-presidentit të Kosovës, Behgjet] Pacolli dhe në disa raste më pas, Gjykata Kushtetuese ka shpallur jokushtetues procedurën e zgjedhjes, por ka lënë në fuqi aktet juridike të nxjerra nga organet e tilla të formuara në mënyrë jokushtetuese. Ky është standard i gjyqësisë kushtetuese evropiane. /REL/



