Hasani: Nuk dua të besoj që PDK-ja ka votë për “Kurti 3”, gabuan politikisht kur votuan Bashën

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, thotë se nuk dëshiron të besojë se partia ku bënë pjesë do të ketë votë për formimin e Qeverisë në seancën e jashtëzakonshme për formimin e saj të dielën.
Hasani, i ftuar në “FIVE” në TV Dukagjini, u shpreh se partia ku bënë pjesë gaboi politikisht kur votoi kryeparlamentarin, Dimal Basha.
“Nuk dua të besoj që brenda grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës do të ketë një deputet të qojë dorën dhe të votojë për qeverinë “Kurti 3”. Nëse ata do të bëjnë një veprim të tillë do të jetë i dëmshëm për rrethanat që jemi tani, nëse do të votohet do të duhet të votohej para 8 muajsh. Gabuan politikisht (PDK-ja) dhe votuan Dimal Bashën. Për mua ata që votojnë nga PDK-ja bëjnë gabim politik dhe nëse votohet tani qeveria do të thotë se kjo do të ndikojë pozitivisht në balotazhin në Prishtinë, Mitrovicë, Prizren e ndoshta edhe në Gjilan për shkak se në këto komuna pretendohet që Vetëvendosje t’i merr këto komuna. Duhet të rrëzohet Qeveria dhe të krijohet një qeveri e përbashkët për gjashtë muaj që të përgatit ndërrimin e ligjit për zgjedhje dhe ti ndajë në zona, 7 zonat qytetet kryesore që ka Kosova dhe kjo do të mundësojë përfaqësimin e të gjitha zonave në Kuvendin e Kosovës dhe duhet të prezantojë ndërrimin e Rregullores së Kuvendit ku në të ardhmen nuk do të ketë probleme me zgjedhjen e një nënkryetari”, tha Hasani.
“Unë jam për me rënë qeveria dhe të krijojmë një qeveri të përbashkët, Albin Kurti është duke luajtur rolin e fituesit dhe në momentin që bie do të mendojë më kthjellët dhe të pajtohet për një ri-rregullim të buxhetit”, u shpreh Hasani.
Hasani, mes tjerash, bëri të ditur se nga njerëz të Vetëvendosjes është kontaktuar edhe për votimin e kryeparlamentarit dhe formimin e qeverisë për çka u shpreh se u është përgjigjur negativisht.


