Haxhiu për zgjedhjen e presidentit: Duhet diskutime, jo barrikada

Derisa kanë mbetur pak ditë deri te zgjedhja e kreut të ri të shtetit, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se vendi ka nevojë për stabilitet politik dhe përqendrim të plotë tek prioritetet që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve. Sipas saj, nuk është koha as për përplasje as për kërkesa të parealizueshme që thotë se e largojnë procesin nga thelbi i tij.

Kryeparlamentarja, pas mbledhjes që pati me Kryesinë tha se ata nuk mund të veprojnë pa pasur kandidatë të cilët i kanë 30 nënshkrime.

Haxhiu sqaroi se për garën e presidentit të shtetit kërkohet që të jenë dy kandidatë, por lejohet që të jetë edhe tre apo katër, por deputetët lejohet të japin nënshkrimin vetëm për njërin kandidat.

“Sepse siç e dini Kuvendi i Republikës i ka 120 deputetë, dhe secili kandidat duhet t’i ketë nga 30 nënshkrime, por një deputet nuk mund të jap nënshkrimin për dy kandidatë, por vetëm për një kandidat”, sqaroi Haxhiu.

Kryekuvendarja tha se Kushtetuta kërkon 80 vota në kuti për dy raundet e para, e në të tretin tha se mjafton të jenë 61 vota për.

“Kjo do të thotë se fryma e saj është qartësisht frymë konsensusi, asnjë palë e vetme nuk mund ta bëjë, prandaj duhet diskutime të sinqerta me kërkesa të arritshme, dhe jo barrikada të patejkalueshme. Si kryetare e Kuvendit mirëpres diskutimet e takimet që kanë nisur ndërmjet partive politike, dhe mbështesë po ashtu çdo përpjekje serioze për dialog konstruktiv me qëllim gjetjen e një kandidature që bashkon”, deklaroi para gazetarëve Haxhiu.

Artikuj të tjerë

Back to top button