
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka përshëndetur zgjedhjen e Arian Gashit si kryesues të ri të Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe zgjedhjen e Dardan Vuniqit si zëvendëskryesues.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu që ka shërbyer si ministre e Drejtësisë gjatë mandatit të kaluar të qeverisë, tha se kjo mbledhje është një hap i rëndësishëm në zbatimin e ndryshimeve të fundit ligjore dhe në avancimin e reformës në drejtësi.
“Ky proces shënon një fazë të re për Këshillin Prokurorial dhe dëshmon përkushtimin e institucioneve tona ndaj një sistemi të drejtësisë të pavarur, transparent dhe llogaridhënës. Është inkurajuese të shohim që përpjekjet për të forcuar rolin e Këshillit Prokurorial dhe për të rritur besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë po konkretizohen përmes hapave të tillë institucionalë”.
“I uroj suksese dhe punë të mbarë përbërjes së re të Këshillit Prokurorial, me besimin se angazhimi dhe vendimmarrja e tyre do të kontribuojnë në forcimin e mëtejshëm të sundimit të ligjit dhe në një sistem drejtësie më të besueshëm për të gjithë qytetarët”, ka shkruar ajo në Facebook.



