Ballina

“Hip se të vrava, zbrit se të vrava” – Thaçi flet nga Haga për krijimin e Gjykatës Speciale: Nuk do ta ndërronim rrugën, ishte më e përgjegjshmja

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që ndodhet në paraburgim në Hagë dhe po gjykohet nga Dhomat e Specializuara, ka folur rreth një prej vendimeve më të ndjeshme të periudhës pas shpalljes së pavarësisë – themelimin e Gjykatës Speciale. Përballë pyetjes nëse do të vepronte ndryshe po të mund ta kthente kohën pas, Thaçi ka qenë i prerë: rruga që u ndoq ishte më e vështira, por edhe më e përgjegjshmja.

“Dua ta depersonalizoj këtë çështje,” është shprehur ai. “Procesi i themelimit të kësaj gjykate nuk ishte disponim apo vullnet individi, por përgjegjësi – apo jopërgjegjësi – shtetërore dhe kombëtare, përballë vetes dhe partnerëve ndërkombëtarë.”

Thaçi ka kujtuar se në vitin 2015 Kosova ndodhej para dy alternativave: ose ta themelonte vetë Gjykatën Speciale, në koordinim me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, ose një gjykatë e ngjashme do t’i imponohej nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, me rol aktiv të Rusisë dhe Kinës – por, sipas tij, të përkrahur edhe nga vendet perëndimore.

“U përballëm me një situatë ‘hip se të vrava, zbrit se të vrava’. Po të mos e krijonim vetë, do të na akuzonin se i dhamë hapësirë Rusisë dhe Kinës. Po ta sfidonim këtë proces në Kuvend, do të rrezikonim që çështja të vulosej nga Këshilli i Sigurimit, një institucion aktualisht i disfavorshëm për Kosovën,” tha Thaçi.

Ish-presidenti ka shtuar se krijimi i Gjykatës ishte i lidhur ngushtë me ruajtjen e sovranitetit ligjor të Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët perëndimorë: “Na u garantua se do të punohej sipas legjislacionit të Kosovës – jo vetëm të merrej parasysh, por të respektohej detyrimisht.”

Ai gjithashtu ka theksuar se që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, Kosova ka kërkuar largimin e UNMIK-ut dhe ka punuar në përmbylljen e mbikëqyrjes ndërkombëtare të shtetësisë, çka, sipas tij, do të binte ndesh me një përfshirje të re të OKB-së në sistemin gjyqësor të vendit.

I pyetur konkretisht nëse do ta kërkonte sërish votimin e Kuvendit të Kosovës për themelimin e Dhomave të Specializuara, Thaçi ka qenë i qartë:

“Të jem kristaltë i qartë – edhe unë përmendesha në raportin e senatorit zviceran Dick Marty, si qindra të tjerë. Mund të isha nën hetim. Por e kam ditur që akuzat ishin të pabaza, siç edhe u vërtetua më vonë. Sidoqoftë, ndodhi ajo që ndodhi. Si shumë të tjerë, kam sfiduar veten për interesa shtetërore.”

Në fund, ai shtoi se edhe po të kishte vepruar ndryshe, “sot do të akuzohesha po nga të njëjtët njerëz, pse nuk e themeluam Gjykatën në bashkëpunim me perëndimorët.”

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button