Hoxha Osman Musliu denoncon padrejtësinë ndaj së bijës: Nëse drejtësia s’na dëgjon, do ta bëjmë të na dëgjojë

Osman Musliu, imam i njohur nga Drenica, ka publikuar disa dokumente, duke akuzuar institucionet e prokurorin për përjashtim nga konkursi në Ministrinë e Mbrojtjes.
Osman Musliu, i njohur si Mulla Osmani, ka bërë publik një reagim të fuqishëm pas asaj që e cilëson si një padrejtësi ndaj vajzës së tij, të cilën thotë se e kanë diskriminuar dhe eliminuar padrejtësisht nga një konkurs pune i hapur nga Ministria e Mbrojtjes.
Në një shkrim të gjatë publik, Musliu thotë se vajza e tij u shkollua në Kosovë, Stamboll dhe Amerikë, u kthye në vendlindje duke refuzuar karrierën jashtë për t’i shërbyer vendit, por sipas tij institucione dhe prokuroria po e “shkelin me dy këmbët”.
Ai thotë se dokumentet e aplikimit i janë fshehur, dhe edhe pasi i është thënë se ka pasur “gabim”, ajo është eliminuar nga konkursi, ndërsa pozita është mbushur nga një person tjetër, pa të drejtë dhe pa licencë.
Musliu ka publikuar dokumente që, sipas tij, vërtetojnë procedura të parregullta dhe “dallavere” në procesin e përzgjedhjes për punësim.



