
Një person është therur me thikë mbrëmjen e së hënës në Kaçanik.
Policia ka bërë të ditur se viktimë është SH.K, rreth 21 vjeç.
Nga informatat e para të policisë dhe veprimet hetimore në terren është bërë e ditur se ngjarja ka ndodhur në fillim të bulevardit “Ismajl Raka”, tek ura e qytetit në Kaçanik, ku viktima dyshohet se është sulmuar dhe therur me thikë nga një personi i dyshuar, J.SH., 17 vjeç.
Viktima fillimisht ka marrë trajtim mjekësor në Emergjencën e Kaçanikut, më pas është transferuar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ndërsa për trajtim të mëtejshëm është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Nga ana tjetër, 17 vjeçari, rreth orës 23:50 të së hënës është arrestuar nga policia dhe në prani të prindit dhe avokatit mbrojtës, është intervistuar nga hetuesit policorë.
Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është ndaluar në mbajtje për 24 orë, për procedura të mëtejshme hetimore, ndërsa hetuesit policorë vazhdojnë hetimet dhe grumbullimin e informatave edhe për persona tjerë të implikuar në këtë rast.



