I mituri theri me thikë të miturin në Ferizaj, ndalohet për 24 orë

Policia njofton se “sot rreth orës 16:00, në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj, në afërsi të Galerisë së Arteve, pas një mosmarrëveshjeje, dy të mitur janë përfshirë në një përleshje fizike”.
Sipas policisë, gjatë përleshjes, “i dyshuari B.O. (17 vjeç) dyshohet se ka përdorur një mjet të mprehtë (thikë), me të cilin e ka goditur E.O. (17 vjeç), duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes”, njofton PK.
Policia thotë se “menjëherë pas pranimit të informacionit, njësitet policore të stacionit policor në Ferizaj kanë ndërmarrë veprime intensive hetimore dhe rreth orës 17:00 kanë arritur ta lokalizojnë dhe arrestojnë të dyshuarin B.O., i cili është shoqëruar në stacionin policor”.
Tutje policia thekson se “i lënduari E.O. ka pranuar trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe më pas është liruar për në shtëpi. Edhe i dyshuari B.O. ka pranuar trajtim mjekësor”.
Policia thotë se “në vendin e ngjarjes janë ndërmarrë veprime procedurale, ku është siguruar një video-inçizim që dokumenton përleshjen ndërmjet palëve. Nga i dyshuari B.O. është sekuestruar një thikë, për të cilin dyshohet se është përdorur gjatë incidentit”.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit për të mitur, i cili ka autorizuar inicimin e rastit “Lëndim i lehtë trupor”.
“I dyshuari B.O. është intervistuar në prani të prindit dhe avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare dhe me vendim të prokurorit është ndaluar për 24 orë për procedura të mëtejme hetimore”, përfundon njoftimi.



