IKD: Në shtatë komuna, kandidatët për pozitën e kryetarit kanë probleme me ligjin

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në raportin me titull “Integriteti i kandidatëve për Kryetarë të Komunave në Zgjedhjet Lokale 2025” thekson se kandidatët për kryetarë të komunave që kanë probleme me ligjin janë në shtatë komuna.
“Sa i përket shtrirjes sipas komunave të kandidatëve që kanë probleme me ligjin, IKD gjen se kandidatë të tillë evidentohen në gjithsej shtatë (7) komuna. Kandidatët për kryetarë të komunave në zgjedhjet e 12 tetorit 2025 të cilët kanë probleme me ligjin janë akuzuar në 12 raste, për gjithsej 10 vepra të ndryshme penale”, thuhet në raportin e IKD-së.
Katër prej këtyre kandidatëve, sipas IKD-së, kanë aktakuza aktive por që janë dënuar në shkallë të parë.
“Këta 4 kandidatë janë të dënuar nga gjykatat e shkallës së parë, 1 prej tyre është në rigjykim, për 2 të tjerë vendimi nuk është përpiluar ende, kurse një rast është duke u trajtuar nga Gjykata e Apelit”, thuhet në raportin e IKD-së.
Sipas IKD-së, Arden Atiq nga LVV-ja i cili garon në Mitrovicën e Veriut është dënuar në shkallë të parë për veprën penale “Asgjësim, dëmtim ose heqje e instalimeve publike”. Ndërsa, rasti është në Gjykatën e Apelit.
Sami Lushtaku që garon për Skenderajn, kandidat i PDK-së, është dënuar në shkallë të parë për veprën penale “Krim i organizuar lidhur me veprën penale pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare”. IKD shton se aktualisht, ky rast është në rigjykim.
Shkumbin Demaliaj i cili garon për Deçanin është dënuar në shkallë të parë për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Ndërsa, sipas IKD-së, aktgjykimi nuk është përpiluar.
Ngjashëm si Demalijaj, për veprën e njëjtë penale është dënuar në shkallë të parë kandidati për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja. Por, aktgjykimi nuk është përpiluar. Ndërsa, pesë kandidatë kanë dënime penale të formës së prerë.
Kandidatit të pavarur për kryetar të Kllokotit, Arbër Emini nga vepra penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” i është rikualifikuar vepra penale në “Mashtrim”. Sipas IKD-së, ai ishte dënuar me kusht dhe gjobë.
Ndërsa, Sami Lushtaku i PDK-së ka tri vendime të formës së prerë për raste penale.
Sipas IKD-së, Lushtaku është dënuar për veprën penale “Kanosja” duke u dënuar me 2 mijë euro gjobë. Po ashtu, është dënuar me gjobë prej 1 mijë e 700 euro për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”, si dhe me 12 mijë euro gjobë për veprën penale “Arratisje e personit të privuar nga liria”.
Po ashtu, edhe kandidati tjetër i PDK-së për kryetar të Klinës, Sokol Bashota është dënuar për një rast penal. Ai u dënua me 6 muaj burgim me kusht dhe 1 mijë e 200 euro gjobë për veprën penale “Mos-raportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
Srecko Spariq nga Srpska Narodna Sloga që kandidon për Kllokotin është dënuar për ‘Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” me 10 muaj burgim me kusht.
Ndërkaq, kandidati për kryetar të Prizrenit nga Bashkimi Demokratik i Prizrenit, Zafir Berisha është dënuar për dy vepra penale “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”. Për të parë, Berisha është dënuar me 6 muaj burgim, dënim ky i zëvëndësuar me 1 mijë e 500 euro gjobë, ndërsa për të dytën është dënuar me 140 euro gjobë. /BetimipërDrejtësi