Inspektorati Policor i Kosovës, ka gjetur dobësi në procesin e gradimit për rreshter. Në raportin e inspektimit të jashtëzakonshëm lidhur me “Vlerësimin e menaxhimit të procesit të gradimit për rreshter”, IPK-ja ka gjetur se procesi është përcjellë me disa dobësi në fazën e konkurrimit, si rezultat i të cilave thuhet se janë ngritur shumë shqetësime dhe ankesa.
Në gjetjet e këtij raporti thuhet se me gjithë faktin që konkursi i shpallur përmban kriterin për qëndrim minimum 5 vjet në shërbim në organizatë të kandidatëve që mund t’i nënshtrohen procesit të aplikimit, nuk është përfshirë edhe kriteri tjetër për kandidatët që duhet të kenë qëndrim dy-vjeçar në gradën “Polic i lartë”.
Gjithashtu thuhet se ka dobësi në respektimin e afateve në kalimin e personelit nga grada kadet deri në gradën polic i lartë.
IPK-ja në kuadër të Raportit ka dhënë tetë rekomandime, që kanë të bëjnë me nevojën e rishikimit të harmonizimit të bazës ligjore që rregullon procedurën e gradimit për zyrtarët policorë me periudhën e realizimit të trajnimit themelor, përfshirjen e plotë të kritereve të aplikimit në kuadër të shpalljeve të proceseve të gradimit, aplikimin e masave kufizuese të aplikimeve në sistemin e menaxhimit të burimeve njerëzore (PRIMS), respektimin e parimit të përfshirjes në panele vlerësuese edhe të anëtarëve nga radhët e komuniteteve tjera etnike si dhe përgatitjen më të mirë teknike të procesit të testimit me shkrim.
Inspektimi është realizuar me kërkesë të kryeshefit ekzekutiv të IPK-së, Kushtrim Hodaj, dhe është përqendruar në Departamentin e Burimeve Njerëzore të Policisë së Kosovës (përfshirë edhe Drejtorinë për Zhvillimin e Performancës dhe Karrierës), si dhe Komisionin e procesit të gradimit.
Kërkesa për inspektim thuhet se ka ardhur si rrjedhojë e shqetësimeve mbi numrin e konsideruar të ankesave të drejtuara në IPK lidhur me rregullsinë e procesit të gradimit për rreshter.
“Qëllimi i inspektimit ka qenë të vlerësohet integriteti i procesit të gradimit dhe të hidhet dritë mbi rregullsinë e tij. Inspektimi ka ofruar mundësi për t’u njohur me identifikimin e pozitave të lira dhe analizën e nevojave për personel të graduar, respektimin e parimeve të trajtimit të barabartë të palëve, aplikimin dhe testimin, vendimmarrjen, transparencën, si dhe trajtimin e ankesave të palëve të pakënaqura”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
“IPK-ja pret nga Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Kosovës që të ndërmarrë veprime për të evituar çfarëdo dobësie apo lëshimi në këtë proces të gradimit, duke e konsideruar Raportin e inspektimit si pasqyrues të gjetjeve që mund të kenë dëmtuar kredibilitetin e mbarëvajtjes së procesit në fjalë”, thuhet tuje në njoftim.
Linku i raportit të plotë:
RAPORT-I-INSPEKTIMIT-NR.-02-2024-VLERESIMI-I-MENAXHIMIT-TE-PROCESIT-TE-GRADIMIT-PER-RRESHTE-0a2c762d-c6c7-497a-aedd-9b234fdee790Shkarkoje