Ish-këshilltari i Clark: Pushteti qëndronte te komandantët e zonave të UÇK-së

John Stewart Duncan, ish-këshilltari i Wesley Clark, tha sot gjatë dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale në Hagë, se pushteti në UÇK qëndronte te gjenerali Agim Çeku dhe komandantët e zonave.
Duncan nënkuptoi se Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi flisnin për pjesën politike, jo për atë ushtarake.
Ai tha se, sipas informacioneve që NATO kishte mbledhur, pushtetin në UÇK për sa i përket krahut ushtarak e kishin komandantët e zonave dhe gjenerali Agim Çeku.
“Sepse, sipas informacionit që kishim, pushteti qëndronte te komandantët e zonave dhe gjeneral Çeku. Sikur informacioni ynë të kishte qenë ndryshe, ne nuk do ta kishim qasur në të njëjtën mënyrë. Po të ishte ky organ, që e quante veten Shtabi i Përgjithshëm, një organ i fuqishëm që kishte kontroll dhe ishte në gjendje të ndërvepronte me ne, aty do të kishim shkuar – por nuk e bëmë, sepse, siç thashë, nuk pamë asgjë të tillë.
E vetmja gjë që pamë ishte ekzistenca e një Shtabi të Përgjithshëm që ishte krijuar më herët, por informacioni që kishim – dhe arsyeja pse unë shkova në Tiranë, e jo në Lubjanë – ishte sepse na u tha se njerëzit me të cilët duhej të angazhoheshim ishin gjeneral Çeku dhe njerëzit që ai thoshte ‘i dua me vete’, pra komandantët e zonave. Kështu që aty qëndronte pushteti.”