Jasharaj i reagon Presidentes Osmani: Gjendja në shkollat publike nuk është aq e mjerë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në një reagim lidhur me incidentin e djeshëm theksoi se gjatë pesë viteve kur vajzat e saj ndjekën mësimin në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë janë përballur me probleme të shumëta infrastrukturore gjatë shkollimit.
E në lidhje me këto çështje të cekura nga Presidentja Osmani ka reaguar kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj.
Jasharaj ka thënë se BASHK-u nuk ka shënime që gjendja në shkollat publike të Kosovës është aq e mjerë.
“Presidente gjendja në shkollat publike të Kosovës nuk është aq e mjerë, por edhe shumë e mirë nuk është. Probleme me kanalizimin, me papastërtinë, me mungesën e ujit , bllokimi i tualeteve , ndërprerja e rrymës dhe e nxehjes janë gjithë këto probleme, me të cilat është përballur për vite një shkollë, ashtu siç ka deklaruar presidentja duke u arsyetuar pse i ka hequr fëmijët e saj nga ai institucion arsimor dhe i ka dërguar në një institucion shkollor privat. Nëse cilën do shkollë e kemi në këtë gjendje të mjerë atëherë përfaqësuesit e lartë të institucioneve nuk mjafton të flasin e tregojnë pas tri a katër viteve, por të veprojnë me nguti, që të krijohen bile kushtet minimale të punës në çdo institucion arsimor”, ka thënë Jasharaj.