Jehona Lushaku: “Sot votova kundër Qeverisë Kurti – për Kosovën, jo për pushtetin”

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Jehona Lushaku, ka reaguar pas votimit të dështuar për formimin e qeverisë së re të propozuar nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lushaku ka deklaruar se ka votuar kundër Qeverisë Kurti, duke e quajtur këtë akt “një mësim emancipues për Albinin dhe për këdo që beson se pushteti është qëllim në vetvete”.
“Ky votim është një mësim emancipues, për Albinin dhe për këdo që beson se pushteti është qëllim në vetvete. Nuk harrohet as falet katandidja dhe nëpërkëmbja populliste katërvjeçare që ia kanë bërë shtetit!”, ka shkruar ajo.
Lushaku ka kritikuar ashpër mënyrën e qeverisjes së Kurtit, duke e akuzuar për përçarje politike dhe mungesë vizioni.
“Albin, sot, teksa prezantove një raport pune pa asnjë vizion, më kujtoheshin të gjitha premtimet që nuk i mbajte, shkeljet e vazhdueshme të Kushtetutës, skandalet e korrupsionit të njerëzve të tu, dhe dëmi që ia shkaktove imazhit ndërkombëtar të Kosovës. Ti, Albin, je bërë simbol i një zhgënjimi të madh politik”, ka shkruar deputetja.
Në postimin e saj, ajo e ka akuzuar Kurtin se ka mbajtur Kosovën “peng për 8 muaj” përmes bllokadave dhe krizës institucionale.
“Një vend i tërë është mbajtur pezull nga taktikat tua politike dhe nga paaftësia për të ndërtuar mirëbesim. Për dëmin që ti i ke shkaktuar vendit, do të paguajmë gjatë të gjithë!”, ka shtuar ajo.



