“Ka njohuri për veprimin”, pse u thirr Kurti për të dëshmuar për rezervat shtetërore?

Prokuroria Speciale kishte thirrur edhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin për të dhënë dëshminë e tij në kohën e hetimeve për rastin e keqpërdorimit me rezervat shtetërore.
Sipas aktakuzës që e ka siguruar Paparaci, është vlerësuar se ai ka pasur njohuri për veprimin e kryesisht ka pasur njohuri për furnizimin me grurë, sidomos me nënshkrimin e vendimeve për këtë çështje.
“Marrë parasysh faktin se ka qenë në dijeni për procesin e rëndësishëm të furnizimit me mallra për rezervën shtetërore, ndër të tjera edhe përmes nënshkrimit të 2 (dy) vendimeve, lidhur me cilësinë e kryeministrit që lidhen me ndarjen e mjeteve buxhetore për blerjen e këtyre mallrave të caktuara për përjashtimin nga procedurat e prokurimit publik të këtij procesi”, ka arsyetuar prokurori.
Kurti ishte thirrur tre herë, fillimisht me datë 11.12.2024, për t’u paraqitur në prokurori me datë 16.12.2024, ora 09:30, pastaj me datë 16.12.2024, për t’u paraqitur në prokurori nga data 17–20.12.2024, ora 09:16–06 dhe së fundmi ishte thirrur me datë 23.12.2024, për t’u paraqitur në prokurori me datë 26.12.2024, ora 08:30.
“Për të tri thirrjet, dëshmitari ka gjetur arsye të ndryshme, për të mos u paraqitur në prokurori, për të cilat është njoftuar në kohe dhe ne gjykata”, shpjegohet në aktakuzë refuzimi i Kurtit për t’u paraqitur në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshminë.
Kësisoj, kjo ka bërë që Prokuroria Speciale të kërkojë nga gjykata edhe lëshimin e urdhrit për ta detyruar atë të paraqitej në prokurori por thuhet se “përkundër lëshimit të dy urdhrave si dhe shqiptimit të një gjobe, dëshmitari nuk ishte paraqitur në prokurori”.
Prokuroria Speciale në aktakuzën e ngritur të martën shpreh vlerësimin se dëshmia e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit është e vlefshme dhe ka propozon që ai të dëgjohet si dëshmitar në shqyrtimin gjyqësor.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe dy zyrtarëve të po kësaj ministrie, Hafiz Gara e Irfan Lipovica, janë akuzuar nga Prokuroria Speciale se i kanë shkaktuar afër tre milionë euro dëm buxhetit të shtetit, me rastin e blerjes së mallit për rezervat shtetërore.
Përpos Hajdarit, Garës e Lipovicës, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale është përfshirë edhe Ridvan Muharremi, një ndërmarrës i cili dyshohej se kishte lidhje të afërta me Albin Kurtin, e që sipas aktakuzës së Prokurorisë, kishte negociuar me kompanitë fituese shit-blerjen e mallrave.



