Kandidatja e AAK-së Xhevahire Vllasaliu: Arsimi është themeli i zhvillimit të shoqërisë

Kandidatja për deputete nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Xhevahire Vllasaliu, ka shpalosur vizionin e saj politik, duke e vënë arsimin në qendër të zhvillimit të shoqërisë dhe ekonomisë së vendit.

“Si mësuese, pedagoge dhe nënë, kam hyrë në politikë me bindjen se arsimi është themeli kryesor i zhvillimit shoqëror dhe ekonomik”, ka deklaruar Vllasaliu, duke theksuar se angazhimi i saj politik synon “ndërtimin e politikave të qëndrueshme që rrisin mirëqenien, forcojnë standardet arsimore dhe vendosin kritere të qarta për një sistem arsimor cilësor dhe gjithëpërfshirës”.

Ajo ka bërë të ditur se fokusi i saj është fuqizimi i rolit të shkollës dhe familjes.

“Fokusi im është fuqizimi i rolit të shkollës dhe familjes përmes politikave që nxisin bashkëpunimin e strukturuar mes institucioneve arsimore dhe prindërve”, ka theksuar kandidatja e AAK-së, duke shtuar se mbështetja institucionale e aktiviteteve jashtëshkollore është thelbësore për zhvillimin e fëmijëve”, ka shkruar Vllasaliu.

Sipas saj, aktivitetet jashtëshkollore kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin akademik, social dhe etik të fëmijëve.

Duke folur për klimën politike në vend, Vllasaliu ka nënvizuar nevojën për tejkalimin e polarizimit politik.

“Angazhimi im synon tejkalimin e polarizimit politik përmes promovimit të një kulture të re politike, ku gara zhvillohet mbi baza programore, ide dhe zgjidhje konkrete”, ka thënë ajo.

Vllasaliu ka apeluar për një elektorat më të vetëdijshëm, duke theksuar se “vota nuk duhet të jetë shpërblim për individë apo pozita, por mbështetje për ide dhe politika që prodhojnë rezultate reale për shoqërinë”.

Në fund, kandidatja për deputete nga AAK ka vlerësuar se nga ky angazhim i qartë programor dhe nga këto parime që përfaqësob, beson se e meriton votën e qytetarëve.

info@tandempress.net

Artikuj të ngjashëm

Back to top button