Katër të arrestuar nga kontrollet e Policisë së Kosovës, konfiskohen drogë, armë dhe para me vlerë 25 mijë euro

Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve (DHTN), pas hetimeve intensive dhe veprimeve të koordinuara operative në terren, ka realizuar dy operacione të ndara antidrogë, gjatë të cilave janë arrestuar gjithsej katër persona dhe janë konfiskuar sasi të konsiderueshme të substancave narkotike, armë dhe dëshmi të tjera materiale.
Rasti i parë, i koduar me emrin “Pinku”, është realizuar më 14 janar 2026 rreth orës 15:20, në rrugën “Xhemajl Mustafa” në Fushë Kosovë. Sipas Policisë së Kosovës, hetuesit e DHTN-së kanë arrestuar në flagrancë dy persona të dyshuar me inicialet M.K., të cilët dyshohet se ishin të përfshirë në aktivitetet e shitblerjes së narkotikëve. Gjatë kontrollit, te njëri nga të dyshuarit janë gjetur dy qese të vogla me marihuanë, me peshë rreth dy gramë. Ndërsa te i dyshuari tjetër dhe në veturën e tij janë gjetur nëntë qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë 4.9 gramë, tetë qese me marihuanë me peshë 12.7 gramë, para të gatshme në vlerë prej 475 eurosh, që dyshohet se janë përfituar nga shitja e narkotikëve, si dhe dy telefona mobilë. Me autorizim të Prokurorit Kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, policia ka kryer bastisje edhe në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit, ku janë gjetur dhe konfiskuar një armë e shkurtër, 15.8 gramë kokainë, 79 tableta të dyshuara ekstazi me peshë 37.7 gramë, 2.6 gramë kokainë ngjyrë e kuqe, 322.9 gramë marihuanë, dy peshore digjitale dhe qese najloni për paketimin e narkotikëve.
Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, të dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.Ndërkohë, në të njëjtën datë, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve – Sektori Qendror, ka realizuar edhe operacionin e dytë të koduar “Dora e Kapur”, në Prishtinë. Gjatë këtij operacioni, në rrugën “Imzot Nikprelaj”, është arrestuar në flagrancë një person i dyshuar me inicialet M.K, te i cili janë gjetur dhe sekuestruar gjashtë doza heroinë me peshë totale rreth katër gramë. Gjatë kontrollit në banesën e tij janë gjetur edhe rreth nëntë gramë hashash dhe 18 gramë marihuanë.
Po ashtu, gjatë bastisjes në një banesë tjetër të lidhur me rastin, policia ka konfiskuar 52 paketime me substancë të dyshuar heroinë, me peshë totale 14 gramë, një pushkë gjuetie me nëntë fishekë, para të gatshme në vlerë rreth 25 mijë euro, një veturë, një peshore, dy telefona mobilë dhe prova të tjera materiale.
Policia e Kosovës ka theksuar se lufta kundër trafikimit të narkotikëve mbetet prioritet dhe se veprimet për identifikimin, arrestimin dhe sjelljen para drejtësisë të personave të përfshirë në këto veprimtari të kundërligjshme do të vazhdojnë pa kompromis.



