Lajme

KEK: Njoftim për punonjësit dhe opinionin e gjerë

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) sqaron për punonjësit e saj dhe për opinionin e gjerë se një ndër prioritetet kryesore ka qenë dhe mbetet ngritja e mirëqenies së të gjithë punonjësve të korporatës. Kjo do të vazhdojë të mbetet një nga objektivat tona kryesore, dhe për këtë qëllim, gjithmonë kemi pasur komunikime të hapura dhe të vazhdueshme me përfaqësuesit sindikalë.

Në komunikatën e KEK-ut thuhet më tej  se në këtë drejtim, ju bëjmë me dije se funksionalizimi i mensave për ushqimin e punonjësve ka qenë kërkesë e vazhdueshme e përfaqësuesve tuaj sindikalë, dhe si çështje ka filluar të trajtohet shumë vite më parë, ku sindikatat kanë qenë të involvuara në shumicën e takimeve lidhur me këtë aktivitet. Madje, z. Llumnica ka qenë edhe anëtarë i komisionit vitin e kaluar dhe me arsyetimin se ka obligime ka kërkuar të zëvendësohet. Për më shumë, përfaqësues të sindikatave kanë qenë pjesë e grupit punues për hartimin e Specifikimit Teknik të shujtave të ushqimit, si dhe kanë qenë pjesë e komisionit për vlerësimin e tenderëve gjatë vitit 2022, lidhur me lëndën e negocimit: “Shërbimet e ushqimit të punëtorëve të KEK-ut”.

Prandaj, kërkesat e sindikalistëve për funksionalizimin e mensave, me qëllim që punonjësit të kenë mundësinë të ushqehen sa më afër vendit të punës, duke kursyer kohë dhe shmangur nevojën për të dalë në qytet, janë vlerësuar nga KEK duke marrë parasysh ndikimin pozitiv që do të ketë edhe në prodhim. Megjithatë, KEK konsideron se për çështjet që lidhen me këtë aktivitet, do të kishte qenë më e dobishme që sugjerimet dhe insistimet të ishin dhënë në kohë, dhe jo tani, kur procesi është shumë afër përfundimit.

Për më tepër, vendimi i Bordit të Drejtorëve me nr. prot. 3250, datë 20.05.2023, është shumë i qartë në lidhje me këtë çështje dhe menaxhmenti është i obliguar ta respektojë në përpikëri. Siç citohet: “Vlera monetare e shujtës ditore (triskës) të jetë 5€ bruto, deri në funksionalizimin e shërbimit të organizuar të ushqimit përmes mensave, me efekt nga data 1 Maj, 2023”, dhe ky vendim është marrë si rrjedhojë e kërkesave të vazhdueshme të sindikatës për funksionalizimin e mensave, kur vlera e triskave ka qenë 1.70€.

Prandaj, kërkojmë nga përfaqësuesit sindikalë që të tregojnë maturi gjatë deklarimeve të tyre si përfaqësues të sindikatës, duke mbrojtur të drejtat e punonjësve dhe duke kontribuar në një mjedis të shëndetshëm dhe konstruktiv, dhe jo duke krijuar konfuzion me deklarata pa fakte që nuk e pasqyrojnë realitetin e plotë të kësaj çështje, thuhet në komunikatën e Korporatës Energjetike të Kosovës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button