“Kërkoj drejtësi”: Një grua në Prizren denoncon sulm fizik dhe kërcënim me armë të ftohtë në vendin e punës

Elmedina Kukaj një qytetare nga Prizreni ka raportuar një rast të dhunës fizike dhe kërcënimit me armë të ftohtë, që sipas saj ka ndodhur më 5 nëntor 2025, rreth orës 22:10, në një biznes familjar në qytet.
Viktima, thotë se është sulmuar nga një klient i identifikuar më vonë si Halil Ademaj, i njohur në publik me nofkën “Komandant Tigri”.
Sipas reagimit të saj, personi në fjalë ka hyrë në lokal dhe ka filluar ta ofendojë dhe kërcënojë me ton agresiv, duke përdorur fjalor denigrues në gjuhën shqipe dhe serbe. Ajo tregon se i është afruar duke i thënë:
“Unë jam Komandant Tigri”, duke shfaqur, siç pretendon ajo, sjellje kërcënuese dhe të paqëndrueshme.
Viktima tregon se është përpjekur të ruajë qetësinë dhe të largohet, por personi e ka ndjekur dhe, sipas saj, e ka sulmuar fizikisht. Ajo deklaron gjithashtu se gjatë përleshjes është vënë re se agresori mbante me vete një thikë, me të cilën dyshohet se ka tentuar ta sulmojë stafin.
Në ndërhyrje janë përfshirë një koleg i saj dhe një klient tjetër, të cilët kanë arritur të ndalin situatën. Rasti është raportuar menjëherë në Polici, ku viktima ka dhënë deklaratën zyrtare.
Megjithatë, sipas saj, agresori nuk është arrestuar, gjë që ka shkaktuar shqetësim dhe frikë për sigurinë e saj dhe të familjes.
“Unë kërkoj drejtësi. Nuk kërkoj hakmarrje. Unë jam një grua punëtore, e shkolluar dhe pa të kaluar kriminale. Sot ndihem e pasigurt në vendin tim. Dhuna nuk mund të normalizohet. Asnjë ‘komandant’ apo individ tjetër nuk është mbi ligjin.”, ka shkruar Elmedina Kukaj në rrejtin social Facebook.
Kukaj thekson se çdo neglizhencë institucionale rrezikon të përforcojë kulturën e frikës dhe pandëshkueshmërisë.



