KFOR pas plagosjes e rrëmbimit të një qytetari serb: Situata është e qetë, policia po e heton rastin

Policia e Kosovës ka njoftuar se të shtunën një qytetar serb, shtetas i Kosovës është plagosur dhe rrëmbyer nga xhandarmëria serbe brenda territorit të Kosovës.
Më saktësisht, në pikën zero në Leposaviq pranë kufirit me Serbinë.
Vijën zero mes Kosovës dhe Serbisë e monitoron në mënyrë më të kujdesshme misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR. Në një përgjigje për media misioni thotë se situata është e qetë dhe se Policia e Kosovës po e heton rastin.
“Ne jemi në dijeni të këtyre raporteve. Situata e sigurisë në Vijën Kufitare Administrative (ABL) është e qetë. Policia e Kosovës (PK) ka nisur një hetim dhe mbetet në kontakt të ngushtë për këtë qëllim me disa subjekte, përfshirë KFOR-in. PK-ja ka koordinuar aktivitetin e saj përkatës në anën e Kosovës të ABL-së me KFOR-in”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.



