Koalicioni ‘krye në vete’ i Xhafer Tahirit me LVV-në, mblidhen organet e LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës ka ftuar mbledhje urgjente pas koalicionit që kandidati i LDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, nënshkroi me Lëvizjen Vetëvendosje të hënën.

Tahiri, sot nënshkroi pa leje nga partia koalicion për mbështetjen e kandidatit të LVV-së, Sylejman Meholli, në balotazhin e zgjedhjeve në Vushtrri.

Marrëveshja u nënshkrua nën prezencën e kryeministrit në detyrë dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Lëvizja “krye në vete” e Tahirit për marrëveshjen e koalicionit me LVV-në, ka mbledhur LDK-në.

Paparaci ka marrë vesh se organet qendrore të LDK-së janë mbledhur urgjentisht për shqyrtimin e këtij hapi të Tahirit, i cili është kryetar i Degës së LDK-së në Vushtrri.

Një komunikim i realizuar të hënën mes Kryesisë së LDK-së dhe kryetarëve të Degëve, i paralajmëroi liderit lokal që të mos kryenin asnjë lëvizje rreth koalicioneve pa miratimin e Kryesisë Qendrore.

“Ju rikujtojmë se Kryesia Qendrore e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk ka autorizuar dhe nuk autorizon asnjë koalicion para çertifikimit të rezultateve zgjedhore. Çdo veprim individual do të trajtohet në organet më të larta partiake, sipas Statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, thuhet në këtë porosi të cilën Gentiana Azemi, zyrtare për komunikim në LDK, ua ka dërguar kryetarëve të Degëve të hënën.

“Kërkesat për koalicione shtrohet nga Degët tek Kryesia pas çertifikimit të rezultateve dhe trajtohen me kohë”, thuhet në këtë komunikim, raporton Paparaci.

Informatat për nënshkrimin e koalicionit mes LVV-së dhe LDK-së në Vushtrri, kanë qarkulluar që nga mëngjesi i së hënës.

Zyrtari i Vetëvendosjes në Vushtrri, Naim Bunjaku, në një postim në rrjetet sociale të hënën në mëngjes paralajmëroi nënshkrimin e marrëveshjes hjatë ditës.

“Sot nënshkruhet marrëveshja e koalicionit me LDK në prani të kryeministrit Albin Kurti”, shkroi ai, në një postim në Facebook. “Ejani të jeni prezent dhe dëshmitarë të kësaj ngjarje që na e siguron fitoren në Vushtrri”.

Në balotazh, Vetëvendosje që mori rreth 30% të votave në raundin e parë do të përballet me Ferit Idrizin, kryetarin aktual e kandidatin e PDK-së edhe për një mandat të ri, i cili siguroi rreth 45% të votave, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së.

Xhafer Tahiri doli i treti, tregojnë rezultatet preliminare, me 19% të votave në raundin e parë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button