Kolgeci kritikon komunën: Mbeturinat po rrezikojnë jetën e qytetarëve

Ish-asamblisti i LDK-së në Suharekë, Selman Kolgeci, ka reaguar ndaj gjendjes së rënduar me mbeturinat në komunë, duke e cilësuar situatën si rrezik serioz për qytetarët.

Sipas tij, mbeturinat kanë “vërshuar” nëpër fshatra, lagje dhe hapësira publike, duke krijuar shqetësim të madh dhe rrezik për shëndetin publik, sidomos në kohën kur temperaturat janë në rritje.

Kolgeci ka kritikuar edhe ndërmarrjen KRM Ekoregjioni SH.A për moskryerjen e detyrimeve, duke shtuar se komuna duhet të reagojë menjëherë për të zgjidhur situatën.

“Komuna duhet të veprojë sa më shpejt dhe të kontraktojë kompani me urgjencë për largimin e mbeturinave para se të bëhet shumë vonë”, ka deklaruar ai.

Ai ka kërkuar që, nëse angazhohen kompani tjera për pastrim, kostoja t’i faturohet ndërmarrjes përgjegjëse, në mënyrë që qytetarët të mos paguajnë dy herë për të njëjtin shërbim.

Në reagimin e tij, Kolgeci ka ngritur edhe çështjen e menaxhimit të brendshëm të kompanisë, duke theksuar mungesën e regjistrimit të plotë të konsumatorëve si një nga arsyet e problemeve financiare.

Po ashtu, ai ka bërë thirrje për transparencë dhe publikim të një raporti të detajuar për inkasimet dhe shpenzimet e ndërmarrjes në Suharekë.

Në fund, Kolgeci ka kritikuar mungesën e reagimit nga kryetari i komunës ndaj kësaj situate.

Postimi i plotë:

Në Suharekë në secilin fshat e lagje e në secilën hapsirë publike mbeturinat na kanë vërshuar. Kjo situatë është më shumë se shqetësim, është rrezik serioz për shëndetin dhe jetën tonë.

Pas deklarimëve refuzuese të drejtorit të bordit të KRM Ekoregjioni SH.A fatkeqësisht duket se edhe kryetari është bërë palë me ta kundër qytetarëve andaj komuna duhet të veprojë sa më shpejtë e të kontraktojë kompani me urgjencë dhe t’i largojë mbeturinat para se të bëhet shumë vonë duke e ditur për rrezikun që ato paraqesin sidomos këto ditë kur po ngriten temperaturat. Tutje, meqenëse KRM Ekoregjioni SH.A obligohet që të bëj grumbullimin dhe largimin e mbeturinave(punë që po refuzon ta bëjë), fatura e shpenzimëve (nga kompania tjetër) ti transferohet Ekoregjionit në mënyrë që qytetarët mos të paguajn 2 herë për shërbimin që kryhet një herë (dhe atë me vonesë).

Sa i përket gjendjes financiare të kompanisë, është qështje e organizimit të brendshëm të KRM Ekoregjioni Sh.A dhe fajin duhet ta kërkoj edhe te vet kompania që nuk ka arritur t’i regjistroj të gjitha njësitë si shtëpi, banesa, lokale e që këto ndikojnë drejtëpërdrejtë në inkasimin e mjetëve të kësaj kompanie.
Meqenëse situata për ta po përshkruhet e rëndë dhe se kompania po operon me humbje, për korrektësi e transparencë është e doemosdoshme përpilimi i një raporti të detajuar për inkasimet dhe shpenzimet që ka kjo ndërmarrje gjatë operimit në Suharekë dhe fshatrat tona, mandej qështja e çmimit dhe rregullores së re është qështje që i përket anëtarëve të Kuvendit Komunal të Suharekës që duhet të vendosin sipas analizës dhe vullnetit të tyre pa presione publike momentale.

Sa për kryetarin më kujtohet kur kishim vërshime, i mbathte çizmet dhe dilte në terren. Sot, kur na kanë “vërshuar” mbeturinat, nuk po vërehet askund.
A thua nuk janë mjaftueshëm serioze këto “vërshime” për të?

Artikuj të tjerë

Back to top button