
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të nisë asgjësimin e materialit zgjedhor nga zgjedhjet e fundit të përgjithshme të mbajtura më 9 shkurt.
Përmes një njoftimi për media, ky institucion tha se ky proces do të zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
“Ju njoftoj se sot (e mërkurë, 6 gusht 2025, ora 10:00) në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të fillojë shkatërrimi i materialit zgjedhor të Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat janë mbajtur më 9 shkurt 2025”, u tha në njoftimin e KQZ-së.
Zgjedhjet parlamentare u mbajtën më 9 shkurt të këtij viti, nga të cilat, Lëvizja Vetëvendosje doli e para, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës e AAK-Nisma.
Ndonëse kanë kaluar gati 6 muaj nga përfundimi i këtij procesi, ende të zgjedhurit e popullit nuk kanë arritur të konstituojnë Kuvendin, rrjedhimisht as qeverinë.