KQZ-ja tregon për rrugën e gjatë deri te shpallja e certifikimi i rezultateve

Edhe pse votimi përmbyllet në një ditë, procesi zgjedhor nuk përfundon me kaq. Pas mbylljes së kutive të votimit, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i nevojiten edhe disa ditë pune intensive për të përmbyllur tërësisht këtë proces.

Rruga deri në shpalljen dhe certifikimin e rezultateve përfundimtare, është e mbushur me procedura të shumta, të përcaktuara në ligje dhe akte nënligjore, e që duhet të ndiqen nga KQZ.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka shpjeguar për Ekonomia Online se shpallja e rezultateve përfundimtare dhe certifikimi përbëjnë dy faza kryesore pas ditës së votimit.

“Rruga që ndjek Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për shpalljen e rezultateve përfundimtare dhe më pas për certifikimin e tyre, përfshin disa hapa të rëndësishëm. KQZ shpall rezultatet përfundimtare vetëm pasi të përfundojnë këto procese: verifikimi dhe numërimi i rezultateve në Qendrat Komunale të Numërimit; numërimi në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, votimi me kusht dhe votimi i personave me nevoja të veçanta; dhe pasi të përfundojë shqyrtimi i akesave të mundshme nga PZAP ose Gjykata Supreme për administrimin e numërimit”, shpjegoi Elezi.

Por, sipas KQZ-së, me shpalljen e rezultateve përfundimtare nuk përmbyllet procesi zgjedhor, pasi do të hapet një afat i ri ankesash lidhur me rezultatet e shpallura.

“Shpallja e rezultateve përfundimtare nuk e përmbyll procesin zgjedhor. Subjektet politike dhe kandidatët kanë të drejtë ankese ndaj rezultatit, fillimisht në PZAP dhe më pas, çështja mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme. KQZ është e obliguar të presë këto vendime, t’i zbatojë ato dhe vetëm pas kësaj të procedojë me certifikimin e rezultateve”, tha Elezi.

Sipas tij, KQZ është e përqendruar në shpalljen e rezultateve përfundimtare, sidomos nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave, pasi më 9 nëntor duhet të mbahet raundi i dytë.

“Meqenëse çdo komunë përfaqëson një zone të veçantë zgjedhore dhe kemi dy lloje zgjedhjesh, angazhimi i KQZ-së është përqendruar në shpalljen e rezultateve përfundimtare, sidomos nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave. Kjo është e domosdoshme për të respektuar afatin ligjor, pasi raundi i dytë duhet të mbahet katër javë pas raundit të parë, që në këtë rast është më 9 nëntor”, tha Elezi.

Nga të gjitha aktivitetet e planifikuara pas ditës së zgjedhjeve, deri më tani KQZ ka përmbyllur aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimti (QKN) dhe numërimin e fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës.

Në proces është numërimi i votave të fundit, atyre me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button