KQZ rinumëron 445 nga 914 vendvotime: Devijimet më të mëdha në Prizren

Rinumërimi i votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka zbardhur manipulime me vota që shkojnë deri në mbi 4 mijë vota për një kandidat të vetëm. Devijimet më të mëdha në vota deri më tash kanë rezultuar në Prizren, ku më e prekura është Partia Demokratike e Kosovës.

Të dhënat e fundit nga QNR tregojnë një diskrepancë serioze mes votave të raportuara dhe atyre reale në kuti, veçanërisht mes kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës.

Rekordin e kësaj “rënieje të lirë” e mban kandidati Fetah Paçarizi, të cilit pas verifikimit i janë hequr plot -4,637 vota, i ndjekur nga Nait Hasani me minus 2,596 vota, Kujtim Gashi me -1,820 vota, Luljeta Veselaj Gutaj -1,504, Arianit Çollaku -1,413, Enver Hoxhaj -865, Fadil Demaku -842, Xhavit Haliti -603, Xhemshit Krasniqi -323, etj. Vetëm 10 kandidatëve emrave të kësaj partie i janë hequr mijëra vota.

Në anën tjetër, kandidati që ka përfituar më së shumti nga saktësimi i numërimit është Uran Ismaili me +553 vota, i ndjekur nga Arian Tahiri me +499 dhe Vlora Çitaku me +360 vota. 

Nga Lidhja Demokratike e Kosovë Xhavit Uka i janë minusuar mbi 1,200 vota, duke u bërë kandidati me më së shumti vota të hequra nga kjo parti. Pas tij renditet Driton Selmanaj, të cilit i janë fshirë 834 vota, dhe Anton Quni me 444 vota minus.

Në kampin e “fituesve” brenda LDK-së, Paris Guri kryeson me +165 vota të shtuara, i ndjekur nga Gëzim Hazrolli me +122 dhe Festim Kabashi me +89 vota.

Te partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, mospërputhjet janë më të vogla, por gjithsesi prezente. Arbër Rexhaj është kandidati me më së shumti vota të hequra, gjithsej -521, i pasuar nga Rea Krasniqi me -420 dhe Valon Ramadani me -392.

Sa i përket votave të shtuara, Hajrulla Çeko ka shënuar rritjen më të madhe në VV me +107 vota, ndërsa Alban Bajrami ka marrë +91 vota pas rinumërimit.

Ky proces ka ngritur pikëpyetje serioze mbi integritetin e procesit. Nacionale kishte kuptuar se asnjë masë parandaluese nuk është marrë nga KQZ për të parandaluar keqpërdorimin e rezultateve në Qendra Komunale të Numërimit dhe rrjedhimisht asnjë vendvotim nuk është verifikuar gjatë kohës sa po ndodhte numërimi i votave të kandidatëve.

Anëtarët e KQZ-së kanë vendosur për rinumërimin e 914 vendvotimeve vetëm pasi që siç është thënë në njoftimin zyrtar të KQZ-së, Sekretariati i KQZ-së ka bërë shikimin e video-incizimeve të kamerave në vendosura në tavolinat e numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit dhe është evidentuar se ka raste të mospërputhjeve të votave për kandidatë.

Artikuj të tjerë

Back to top button