Krasniqi akuzon Veton Berishën për ego personale pas mosvotimit të Qeverisë Kurti 3

Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka reaguar pas mosvotimit të Qeverisë Kurti 3 në seancën e mbajtur të dielën, duke thënë se sot humbi Kosova dhe komunitet egjiptian.
Ai e ka akuzuar deputetin e këtij komuniteti, Veton Berisha, për ego personale.
“Mosvotimi i Qeverisë Kurti 3 është zhgënjyes për të gjithë ata që kanë besuar në bashkëpunim, mbështetje dhe respekt të ndërsjellë. Qeveria Kurti 2 ka qenë një aleat i sinqertë i komuniteteve pakicë, duke dëshmuar me vepra se barazia nënkupton dyanshmëri. Në propozimin e kabinetit qeveritar sot nuk ishte emri im, si një mundësi për të marrë edhe votën e Veton Berishës. I motivuar nga inati e ego personale, veq emrit tim, ai refuzoi po ashtu edhe një ministër tjetër apartiak nga komuniteti egjiptian, duke insistuar vetëm në vetën e tij. Kësisoj, ai tashmë po i rikthehet stilit të tij të njohur politik, atij të pazareve dhe shantazheve që e kemi mësuar që nga viti 2014”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ai tutje ka thënë se komuniteti duhet të jetë para partisë e qytetari para politikës.
“Çdo kalkulim tjetër nuk na sjell as fuqi, as dinjitet – vetëm humbje. Në zgjedhjet e reja, komuniteti përmes votës do ta jap përgjigjen që ti e meriton, njëjtë siç të janë përgjigjur për mosvotimin e Qeverisë Kurti 1 me 3 shkurt 2020 dhe votës për rrëzimin e Qeverisë Kurti 1 më 25 mars 2020”, ka theksuar tutje Krasniqi.
Nga komuniteti joshumicë joserb ka reaguar edhe Sejnur Veshall i Partisë Rome të Bashkuar, i cili u propozua për ministër të Zhvillimit Rajonal në qeverinë Kurti 3.
Këtë propozim ai e ka quajtur moment historik jo vetëm për komunitetin rom, por për të gjithë shoqërinë që beson në barazi dhe mundësi të drejta për secilin.
“Sot, edhe pse Qeveria nuk u votua, ndihem shumë i privilegjuar dhe i nderuar që jam propozuar për herë të parë për vendimmarrje. Ky moment shënon fillimin e një rruge të re, ku zëri i secilit qytetar, pa dallim, mund të dëgjohet dhe do të dëgjohet”, ka shkruar ai.



