Krasniqi: Trump e sheh Kosovën mes temave në mandatin e tij, Kurti bllokon me kryeneçësi

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e vlerësoi tejet të rëndësishme qasjen e presidentit amerikan, Donald Trump i cili tha se në mes të krizave globale me konflikte, zgjodhi ta përmend Kosovën.
”Është i mirëseardhur fakti që presidenti Trump, për herë të parë në shumë e shumë kohë, po e përmend Kosovën. Dhe përkundër faktit që prioritetet e diplomacisë amerikane tashmë dihen që ndërlidhen me konfliktet kryesore në vend, duke përfshirë luftën mes Izraelit dhe Iranit por dhe luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, si dhe vatra të tjera të krizës, unë e shoh pozitivisht faktin që Trump e përmend edhe Kosovën dhe e sheh si një nga temat që do të merret gjatë mandatit të tij”.
”Por para se të mendojmë për pozicionin e SHBA-së, neve na takon të mendojmë ku është Kosova sot, dhe bllokada e cila po vazhdon për shkak të kryeneçësisë së Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje është e dëmshme edhe për pozicionin e Kosovës, sepse nëse në një moment të shpejtë që nuk mund ta dimë se kur mund të jetë ai moment, ka një kërkesë nga SHBA-të për të pasur një qasje më proaktive në raport me marrëveshjen më potenciale mes Kosovës dhe Serbisë dhe nëse ne nuk kemi institucionet e konsoliduara, kjo gjithsesi që dëmton pozicionin e Kosovës”, tha Krasniqi.