Krimet e luftës në Kosovë: 11 aktakuza të ngritura vitin e kaluar

Njëmbëdhjetë aktakuza për krime lufte janë ngritur deri në dhjetorin e vitit të kaluar.
Gjatë kësaj periudhë janë akuzuar 36 persona, në mesin e tyre 33 për gjykim në mungesë.
Kështu ka bërë të ditur Prokuroria Speciale, derisa ka thënë se numri total i aktakuzave në mungesë është 20, ku akuzohen 102 persona.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ju njofton se gjatë vitit 2025, konkretisht deri më 01 dhjetor të këtij viti janë ngritur 11 aktakuza për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile. Gjatë kësaj periudhe janë akuzuar 36 persona, prej tyre 33 persona të akuzuar për gjykim në mungesë, ndërsa janë parashtruar 8 kërkesa për caktim te paraburgimit ndaj 10 personave.
“Ndërsa, numri total i rasteve me aktakuza është: 74 raste me 80 aktakuza ndaj 216 personave. Numri i aktakuzave të dorëzuara me gjykim në mungesë është: 20 aktakuza për gjykim në mungesë ndaj 102 personave”, thuhet në këtë përgjigje.
Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani flet për vështirësitë që kanë autoritetet vendore për të ndjekur penalisht kriminelët e luftës. Ai thekson se ka kaluar kohë e gjatë dhe se provat janë lehtësisht të zhdukshme”.
“Mirë është bërë që është lejuar gjykimi në mungesë për krimet e luftës, domethënë krimet kundër njerëzimit, gjenocidit dhe krimit e luftës. Edhe pse në aspektin e efekteve nuk besoj që ka me pasur shumë efekte, për faktin se ligji atje thotë se në momentin që personat e tillë bëhen të qasshëm për organet e ndjekjes të Kosovës, procedura, nëse ata kërkojnë, duhet menjëherë të rigjykohen, të kthehet edhe njëherë çështja nga e para. Kështu që problem është e para për t’i pasur të qasshëm për ta mbajtur dënimin dhe nëse vendimet marrin formën e prerë. E dyta ne e dimë që nuk kemi kurrfarë bashkëpunimi me Serbinë që pak është e besueshme se ajo mund t’i dorëzojë personat e tillë. Besoj që pavarësisht çfarë do presioni që i zhvillohet, ajo nuk është e gatshme që t’i dorëzojë. Kështu që e para është vështirë për të besuar se ato do të dorëzohen në Kosovë për ta mbajtur dënimin dhe e dyta është problem që Serbia të ekzekutojë vendimet tona edhe nëse ndërkohë arrin ndonjë marrëveshje”, thotë Hasani.
Hasani thotë ndër tjera se është me rëndësi që Kosova të ketë aktgjykime të formës së prerë për krime lufte.
“Domethënë ato mund të ngelin vetëm aktgjykime në letër, po që mos të ekzekutohen kurrë. Po sido që të jetë, për neve është me rëndësi që Kosova me pas procese të përfunduara, me pasur aktgjykime të formës së prerë, pastaj e kemi më lehtë edhe në raport të negociatave që patjetër do të zhvillohen në të ardhmen me Serbinë, që ato vendime të ekzekutohen ose eventualisht që të personat e dënuar që të dorëzohen në Kosovë për ta mbajtur dënimin”, shton ai.
Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare thotë se vitet e fundit kanë dominuar aktakuzat në mungesë për krime lufte.
“Këto dy-tre vitet e fundit gjykimet në mungesë apo aktakuzat të cilat ngriten ndaj të akuzuarve të cilët nuk gjenden në territorin e Kosovës janë duke dominuar karshi aktakuzave ndaj personave të cilët janë të arrestuar apo të cilët janë prezent në gjykatë. Siç e kemi parë edhe këtë vit ka pasur edhe aktgjykim të shkallës së parë edhe për dhunim seksual si krime lufte ndaj dy personave të akuzuar në mungesë. Ky është aktgjykimi i parë në mungesë për këtë lloj të veprës penale, pra të dhunimit seksual. Më herët ka pasur edhe dy apo tre aktgjykime të tjera të shkallës së parë në mungesë”, shprehet Alija.
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës e konsideron vitin 2025 si vit të drejtësisë.
Fatmire Haliti nga kjo organizatë thotë se ka pasur progres në aspektin e qasjes në drejtësi të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
“Gjatë vitit 2025 janë zhvilluar dhe kanë përfunduar tre gjykime për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë, ndërsa dy gjykime janë duke u zhvilluar aktualisht, ku presim që të kemi gjykime sa më shpejt që është e mundur. Në mesin e tre gjykimeve që janë mbajtur, kemi një aktgjykim dënues me 15 vjet burgim, ku i akuzuari është dënuar dhe është në vuajtje të dënimit, si dhe kemi aktgjykimin e parë në mungesë për dhunë seksuale, ku janë dënuar dy kryes të dhunës seksuale me nga 15 vjet burgim…. Pra, në vitin 2025 e kemi pasur aktgjykimin e parë në mungesë, ku janë dënuar dy të akuzuar, Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq, me nga 15 vjet burgim. Dhe ky rast domethënë ka hapur rrugë edhe për raste të tjera, ka krijuar domethënë një farë standardi se si të trajtohen, duke pasur parasysh që janë raste më të ndjeshme për sistemin e drejtësisë, sepse duhet të ndjekin një varg procedurash paraprakisht para se të fillojnë procesi gjyqësor”, përfundon Haliti.
Aktgjykimi i parë në mungesë është shpallur gjatë vitit 2024, ku i dënuari është Çedomir Aksiq i cili kreu krime lufte në Reçak, Mulapolc dhe Petrovë – fshatra në komunën e Shtimes.
Në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë mbi 13 mijë civilë, mbi 20 mijë gra e burra të dhunuar seksualisht, mbi gjashtë mijë të zhdukur, prej tyre 1.600 vazhdojnë të jetë të pagjetur e më shumë se 800 mijë persona të zhvendosur gjatë viteve 1998-1999. Por Serbia vazhdon t’i mohojë të gjithë këto krime të kryera në Kosovë.



