Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos”, Fisnik Osmani me Sergiy Maslichenko, drejtor i Zyrës për Kosovë i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), kanë nënshkruar sot një marrëveshje financimi për projektin “Solar 4Kosovo”.
Nëpërmes kësaj marrëveshje, BERZH do të financojë projektin “Solar 4Kosovo” me një grant në vlerë të 500 mijë eurove, që janë të dedikuara për shërbimet e konsulencës, ndërsa i gjithë investimi i BERZH për projektin arrin shifrën e 23 milion eurove.
Me këtë rast, Kryeshefi Osmani ka falenderuar Maslichenko për mbështetjen, që BERZH ka ofruar për realizimin e projektit “Solar 4Kosovo”, një nga më të rëndësishmit për ndërmarrjen dhe projekti i dytë në Evropë për nga kapaciteti.
Ndërkaq, Sergiy Maslichenko ka shprehur kënaqësinë e tij për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje për financimin e këtij projekti kapital.
“Kryeshefi Osmani ka njoftuar Maslichenko për projektet, që janë në proces realizimi, si dhe për planet e projektet tjera kapitale në të ardhmen, të cilat do ta vendosin ndërmarrjen në një nivel tjetër për të mundësuar furnizimin me ngrohje jo vetëm për qytetarët e Prishtinës si dhe për të përcaktuar kahjet e zgjerimit të mëtutjeshëm të rrjetit duke u bazuar në kapacitetet e reja të ndërmarrjes.
Projekti “Solar 4 Kosovo” është një nga projektet më të mëdha në fushën e energjisë në Kosovë, do të jetë një nga impianetet më të mëdha diellore në Evropë dhe i pari në rajon nga kapaciteti, që do të shfrytëzojë energjinë e pastër diellore për përfitimin e energjisë ngrohëse”, thuhet në njoftimin e TermoKos-it.
Bëhet e ditur se nëpërmes vendosjes së paneleve solare në një hapësirë prej 69 mijë metrave katrorë do të bëhet integrimi i dy sistemeve: të energjisë solare me atë të kogjenerimit, gjë që do të mundësojë një kapacitet shtesë termik për 50 MW për të furnizuar me ngrohje edhe 12 mijë konsumatorë të rinjë të NP “Termokos”.
“Realizimi i këtij projekti, që do të financohet nga fondet ndërkombëtare dhe me bashkëfinancim edhe nga ndërmarrja, do të mundësojë zgjerimin e rrjetit të ngrohjes edhe për një pjesë të objekteve banesore të lagjes “Arbëria” dhe “Tophane”, thuhet në njoftim.