Ballina

Kryeziu kërkon qartësi nga Presidentja për rastin e gjyqtarit Laban, ia shtron 4 pyetje

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka reaguar pas vendimit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për të tërhequr kërkesën e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese më 22 korrik. Ai ka ngritur katër pyetje që, sipas tij, janë thelbësore për të vlerësuar nëse Presidentja ka vepruar në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe për mbrojtjen e sigurisë kombëtare.

Në postimin e tij, Kryeziu citon deklaratën e Presidentes në konferencë për media, ku ajo justifikoi tërheqjen me faktin se gjyqtari Radomir Laban ishte caktuar si raportues në këtë çështje. Osmani kishte thënë se “institucionet tona të sigurisë kanë dorëzuar informacione të qarta dhe zyrtare për veprimtarinë e rrezikshme të tij në vitet 2018, 2021 dhe 2024”. Ajo e cilësoi veprimin e saj si “të domosdoshëm për mbrojtjen e rendit kushtetues”.

Kryeziu kujtoi se Kushtetuta, në nenin 118, i jep Presidentit kompetenca të posaçme për shkarkimin e një gjyqtari të Kushtetueses, nëse propozimi vjen nga dy të tretat e gjyqtarëve të Gjykatës dhe nëse bëhet fjalë për “krime të rënda” apo “mospërfillje të rëndë të detyrave”. Ai përmend gjithashtu se sipas Kodit Penal, rrezikimi i rendit kushtetues përbën krim të rëndë.

Kryeziu kërkoi nga Presidentja përgjigje për katër çështje konkrete:

“Nisur nga fakti që neni 118 e ngarkon Presidenten me përgjegjësi të posaçme, pyetjet e mia për Presidenten Osmani janë:

1. A keni komunikuar me Kryetaren e kaluar dhe Kryetarin aktual të Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me këto gjetje të organeve të sigurisë?

2. A janë këto gjetje të organeve të sigurisë të faktuara mirë, përtej çdo dyshimi të bazuar?

3. A keni biseduar me anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese?

4. A keni sugjeruar që, në dritën e këtyre gjetjeve, Gjykata Kushtetuese të nisë procedurën për të rekomanduar shkarkimin?

Këto pyetje janë tejet esenciale dhe të rëndësishme për të vlerësuar edhe nëse vetë Presidentja e ka kryer detyrën e vet për të mbrojtur rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare. 

Opinioni i gjerë ka nevojë për qartësi dhe argumentim të saktë. Ndryshe, çdo gjë tjetër është veprim që dëmton seriozitetin e institucioneve të Republikës.”

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button