
Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Qendrim Kryeziu (103), ka ngritur alarmin për gjendjen e rëndë sociale dhe ekonomike në vend, duke theksuar se mungesa e sigurimeve shëndetësore dhe pasiguria në vendin e punës po i detyrojnë qytetarët të braktisin Kosovën. Sipas tij, këto dy probleme janë ndër arsyet kryesore që po e shtyjnë popullsinë aktive drejt emigrimit.
Vetëm këtë vit janë regjistruar 26 vdekje në vendin e punës, një shifër që Kryeziu e cilëson si alarm kombëtar dhe tregues të dështimit të institucioneve për të garantuar sigurinë e punëtorëve. Ekspertët thonë se kjo situatë është rezultat i mungesës së mbikëqyrjes dhe standardeve minimale të sigurisë në punë.
Ndërkohë, sfidat në sektorin e shëndetësisë vazhdojnë të thellohen. Raportet tregojnë se deri në 84 për qind të pacientëve hasin vështirësi në marrjen e trajtimit adekuat shëndetësor, kryesisht për shkak të mungesës së sigurimeve shëndetësore dhe kostove të papërballueshme. Shtresat e cenueshme janë ato që e ndiejnë më së shumti mungesën e mbështetjes institucionale.
Në reagimin e tij, Kryeziu paralajmëron se kjo gjendje nuk mund të tolerohet më dhe kërkon reforma të thella.
“Ky realitet duhet të marrë fund. Qytetarët e Kosovës nuk mund të jetojnë të pambrojtur, pa siguri shëndetësore dhe pa kushte të sigurta pune,” deklaroi ai.
Duke folur për vdekjet në vendin e punës, ai theksoi se shifrat janë dramatike dhe kërkojnë përgjegjësi të menjëhershme.
“26 jetë të humbura brenda një viti janë një thirrje për ndërhyrje urgjente. Si deputet, do të kërkoj standarde të reja sigurie dhe mbrojtje për punëtorët.”
Sa i përket shëndetësisë, Kryeziu nënvizoi se gjendja aktuale është e papranueshme dhe kërkon ndryshime rrënjësore.
“84 për qind e pacientëve nuk marrin trajtim të duhur. Kjo është dëshmi e një sistemi të stërngarkuar dhe të paorganizuar. Sigurimet shëndetësore duhet të jenë realitet, jo premtim politik.”
Ai theksoi se Kosova ka nevojë për qeverisje stabile dhe vizion të qartë për mirëqenien e qytetarëve.
“Siguria, shëndeti dhe dinjiteti i qytetarëve duhet të jenë prioritet i shtetit. Këtë mund ta garantojmë me PDK-në në krye dhe me Bedri Hamzën si kryeministër,” tha Kryeziu.
Kandidati 103 përfundoi duke ripërsëritur se do të jetë zëri i çdo qytetari që kërkon trajtim të drejtë, mbrojtje dhe siguri elementare.
“Unë do të jem zëri i atyre që deri sot kanë mbetur të pa dëgjuar. Ndryshimi fillon me përgjegjësi,” deklaroi ai.



