
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore kushtuar 5, 6 dhe 7 marsit, e cila u mbajt në kuadër të aktiviteteve shtetërore në shënim të 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përpara të pranishmëve, Kurti tha se Kosova është zemra e shqiptarisë, teksa qendra e Kosovës është në Drenicë.
“Flakët, plagët dhe kujtesa e secilës kryengritje përgatisnin brezin e ri të kryengritësve. Nëpër odat e Drenicës kuvendohej e këndohej për Ahmet Delinë, Azem e Shote Galicën, Shaban Polluzhën e të tjerë trima. Mosdorëzimi dhe qëndresa me zemër e me nder, para epërsisë numerike dhe materiale të armikut, ishte tradita e kësaj krahine. Trupi shuhej, por jo ideali i lirisë, siç dëshmuan edhe Nebih e Tahir Meha në maj të vitit 1981, kur iu kundërpërgjigjën me armë në dorë policisë jugosllave që i kishte rrethuar në shtëpinë e tyre në Prekaz. Emini, gjyshi i Tahirit, kishte luftuar në krah të Azem Galicës e Nebihu, i ati i Tahirit, kishte luftuar më parë në krah të Shaban Polluzhës” deklaroi Kurti përpara të pranishmëve.
Ai u shpreh se Drenica u bë shkollë e qëndresës shqiptare në Kosovë, prandaj nuk është rastësi që ushtria jonë çlirimtare bazat e saj të para i formoi pikërisht aty.
“Jasharët ishin UÇK para se të formohej UÇK-ja, sepse ata ishin gati dhe kishin qenë gjithnjë të gatshëm për fillimin e luftës çlirimtare. Ademi, Hamza e baba Shaban me ta marrë pushkën e dinin se nuk ka kthim mbrapa; se paqja për ta do të vinte vetëm kur Kosova do të ishte e lirë, se ata mund të mos e mbërrinin dhe shikonin Kosovën e lirë. Mirëpo ata vetë ishin tashmë të lirë, sepse nuk do të nënshtroheshin. Flijimi i familjes Jashari ishte flakadani që e përhapi luftën çlirimtare anembanë Kosovës, ishte ngjarja që ndau më dysh rrjedhën e historisë” tha Kurti.
Kryeministri deklaroi se vetëm Republika e pavarur do të sillte paqen e vërtetë.
“Pas flijimit të Jasharëve në shtëpinë e tyre në Prekaz, shqiptarët e kuptuan që ecja e bërë marshim nuk do të kishte kthim mbrapa. Masakrat në fshatrat e Drenicës – Likoshan, Qirez e më pas në Prekaz – goditën familjen shqiptare, vijën e fundit të qëndresës. Paqja në Kosovë ishte e pamundshme, lëvizja paqësore ishte e pamjaftueshme. Kishte ardhur koha e luftës për lirinë kolektive, sepse vetëm Republika e pavarur do të sillte paqen e vërtetë.
Epoja e luftës së Jasharëve i tregoi armikut serb se UÇK-ja nuk mund të mposhtej për sa kohë që mbështetej nga populli. Për ta mbajtur Kosovën e pushtuar, Serbisë do t’i duhej të përzinte krejt popullin shqiptar. Vrasja masive e civilëve, pa kursyer as fëmijët, gratë shtatzëna e pleqtë, dhe shkatërrimi i pronave për t’ua pamundësuar kthimin të mbijetuarve do të ishin metodat, ashtu siç kishin qenë në vitin 1945, siç kishin qenë në vitin 1918, siç kishin qenë në vitin 1912 e më parë. Ashtu siç mbahej mend brez pas brezi në odat e Drenicës e të mbarë Kosovës” u shpreh Kurti.



