
Në margjina të Konferencës së Sigurisë në Munih, kryeministri Albin Kurti, u takua me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen, Chris Murphy, Thom Tillis dhe Ruben Gallego.
Kurti, siç njofton Kryeministria, shprehu mirënjohjen ndaj ShBA-së si aleatin kryesor të vendit.
Përgjatë takimit, sipas njoftimit, u theksua progresi i Kosovës në aspektin demokratik dhe atë ekonomik.
Kryeministri ndërkaq ka folur edhe “rreth orientimit euro-atlantik dhe objektivit e angazhimit tonë të vazhdueshëm për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian”.
Po ashtu, temë diskutimi ishte edhe raporti me Serbinë, ku Kurti kërkoi dorëzimin e Millan Radoiçiqit.
“Në lidhje me raportet me Serbinë, Kryeministri theksoi rëndësinë e dorëzimit të kryeterroristit Milan Radoiçiq, i cili duhet të përballet me drejtësinë në Kosovë për organizimin dhe ekzekutimin e sulmit në Banjskë më 24 shtator 2023; nënshkrimit të Marrëveshjes Bazike; tërheqjes së letrës së Bërnabiqit ku thuhet se nuk do të respektohet integriteti territorial i Kosovës”, u tha në njoftimin e Kryeministrisë.
Në këtë takim, Kurti shoqërohej nga Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, dhe Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.



