Kurti në Procesin e Berlinit kërkon ndëshkimin e Serbisë për sulmin terrorist të Banjskës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti po merr pjesë në samitin e Procesit të Berlinit që po mbahet në Mbretërinë e Bashkuar.
Nga fjalimin e tij para pjesëmarrësve tha se përparimi i Kosovës “mbetet nën hijen e kërcënimeve dhe agresionit të vazhdueshëm nga fqinji verior” duke kërkuar ndëshkimin e Serbia për sulmin terrorist të Banjskës.
“Sulmi terrorist në Banjskë nuk mund të injorohet. Milan Radoiçiq ka pranuar përgjegjësinë, megjithatë drejtësia ende nuk është vënë në vend. Fqinjit tonë armiqësor në veri nuk duhet t’i lejohet të veprojë me pandëshkueshmëri, pasi kjo nxit inkursione të reja dhe dërgon një sinjal të rrezikshëm se sulmet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës mund të mbeten të pandëshkuara”, tha ai.
Kurti ka folur edhe për ekonominë, sigurinë e çështje të tjera. Ndërkohë që edhe një herë ka paraqitur zotimin e tij ndaj Mbretësisë së Bashkuar për të “ndihmuar” në menaxhimin e fluksit të migracionit.
“Sa i përket migracionit, ne kemi dhënë zotim ndaj Mbretërisë së Bashkuar për të trajtuar shkaqet e paqëndrueshmërisë: forcimin e sigurisë kufitare, luftimin e krimit të organizuar, ndalimin e financave të paligjshme dhe ndihmën për menaxhimin e flukseve migratore”, ka thënë Kurti.