Kurti nuk e propozoi më ministre, Nagavci: Është koha e Kurtit dhe LVV-së

Edhe pse Kurti dështoi formimin e qeverisë së re, Arbërie Nagavci mendon që është koha e tij dhe e LVV-së.

Kështu ka deklaruar ajo në një postim në Facebook, anipse Kurti nuk e përfshiu në kabinetin qeveritar që synonte t’i merrte votat e nevojshme sot.

Arbërie Nagavci u la jashtë listës për udhëheqje të ndonjë ministrie, derisa mandatin e fundit ishte në krye të Ministrisë së Arsimit.

Reagimi i saj i plotë:

Lëvizja ka qenë dhe do të mbetet përherë me qytetarët, për të mirën e vendit, për drejtësi, për barazi e zhvillim. Qytetarët e dinë këtë, ata vlerësojnë integritetin e Kryeministrit Albin Kurti, guximin e tij, ndershmërinë dhe përkushtimin e tij të palëkundur.

Falë Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Kryeministrit Kurti, Qeverinë e Kosovës nuk e përcakton më Beogradi përmes Listës Serbe, ata nuk janë më faktorë në vendimmarrje.

Nuk ka më as marrëveshje koalicioni që në nenin e parë parashikojnë “… do të formohet Asociacionin brenda 3–5 muajsh”, siç ishte rasti me marrëveshjen PDK–LDK–Srpska.

Shteti nuk mund të dëmtohet për hir të pushtetit!

Sot, PDK, LDK, AAK, NISMA dhe Lista Serbe, të gjithë bashkë, pamundësuan jetësimin e vullnetit të shumicës së qytetarëve, pamundësuan formimin e Qeverisë Kurti 3. Ky është skenar që e kemi parë edhe më herët, kur u rrëzua Qeveria Kurti 1.

Por, sa herë që përpiqen të na ndalin, ne dalim edhe më të fortë.

Vazhdojmë punën, angazhimin dhe përkushtimin për vendin tonë. Për zhvillim, për drejtësi, për Republikën!Kthim prapa s’ka.

Është koha e Albin Kurtit, është koha e VETËVENDOSJES!

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button