Kurti për Abdixhikun: Në zgjedhje të reja beson që do të dal i pari, por nuk del

Kryeministri në detyrë Albin Kurti e vlerëson të çuditshme sjelljen e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kurti tha sot se ka besuar që mund të bashkëpunojë me Abdixhikun.
“Unë kam pasur takime dhe kam synuar takime vetëm me Lidhjen Demokratike dhe me Nismën Socialdemokrate. Kam besuar që me udhëheqjen e re të LDK-së ne mund të bëjmë një koalicion. Kryetari i ri i LDK-së në vitin 2021 është uruar prej meje. Ai ka qenë ministër i imi dhe unë kam besuar që mund të bashkëpunojë. Në anën tjetër, partia tjetër që kam synuar të bëjë koalicon udhëhiqet nga z. Limaj. Ajo doli nga AAK-ja dhe me këto të dyja kam synuar. Nuk kam synuar me të tjerat”, tha sot kryetari i Vetëvendosjes në një konferencë për media në qeveri.
Ai konsideroi se sjellja e LDK-së pas zgjedhjeve të 9 shkurtit është e pakuptimtë.
“Unë nuk po e kuptoj Lidhjen Demokratike të Kosovës, të ju them sinqerisht. Nuk duan qeveri të udhëhequr nga unë dhe Lëvizja Vetëvendosje, nuk duan të formojnë qeverinë e tyre me partitë e tjera opozitare, por insistojnë në disa zgjedhje të reja ku përsëri do ta përsërisin atë slloganin që ne dalim të parët. Po nuk dalin të parët. Është një çik e çuditshme për mua kjo sjellje”, tha ai.
“Njëherë e kisha përshtypjen që me të vërtetë ndoshta e kanë me mua personalisht. Thjesht, s’duan që Albin Kurti të jetë kryeministër, por kur po e shohim tash para balotazhit, ata janë kundër edhe kandidatëve lokal të LDK-së që po duan të bashkëpunojnë me Vetëvendosjen. Mirë, Albin Kurti nuk bën për kryeministër. Por pse nuk bën Sylejman Meholli për kryetar të Vushtrrisë. D.m.th tash po na del që nuk është problemi vetëm me mua, problemi është me komplet fituesin e zgjedhjeve që i ka marrë 400 mijë vota”, u shpreh Kurti.



