Ballina

Kurti: Rrëfimi i Nishorit, thirrje për t’i dhënë fund paragjykimeve ndaj burrave të mbijetuar të dhunës

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar pas rrëfimit publik të Ramadan Nishorit, burrit të parë që ka folur hapur si i mbijetuar i dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Në Ditën Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës, Kurti e ka cilësuar rrëfimin e Nishorit si një thirrje të fuqishme për mbështetje ndaj burrave të tjerë që kanë përjetuar këtë krim të rëndë.

“Me kurajë të jashtëzakonshme, sot, Ramadan Nishori theu heshtjen dhe u bë zëri i parë publik i burrave të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës. Kjo është një thirrje e fuqishme për shoqërinë që të mbështesë edhe burrat e tjerë të mbijetuar, të cilët vazhdojnë të përballen me paragjykime dhe vështirësi të shumta në kërkimin e të drejtave që u takojnë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka nderuar edhe gratë që dëshmuan publikisht për dhunën seksuale gjatë luftës, si Marte Tunaj, Vasfije Krasniqi Goodman dhe Shyrete Tahiri Sulimani, duke thënë se dëshmitë e tyre zbuluan krimet e Serbisë ndaj mijëra viktimave në Kosovë.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës shpreh solidaritetin e plotë me të gjithë të mbijetuarit e të mbijetuarat dhe angazhohet për drejtësi, njohje dhe mbështetje të vazhdueshme.

“Në këtë ditë simbolike, në përputhje me ligjin, po zgjasim periudhën e aplikimit në Komisionin Qeveritar për verifikimin dhe njohjen e statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, me synimin që asnjë e mbijetuar dhe i mbijetuar të mos mbetet pa mundësinë për të kërkuar njohjen dhe mbështetjen që meriton”, ka shkruar Kurti.

Po ashtu, ai ka theksuar se heshtja dhe stigma që ende rëndon mbi këtë krim lufte vazhdon të pengojë mijëra të mbijetuar që të kërkojnë drejtësi e mbështetje.

“Është detyra jonë si shoqëri që të ofrojmë përkrahjen tonë maksimale, me solidaritet dhe empati”, ka shtuar Kurti.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button