Kush është Beqë Shala, prokurori i arrestuar për ryshfet në Prizren

15 vite mund të ketë zgjatur karriera e prokurorit Beqë Shala.

Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, mund të mos kthehet më në vendin e tij të punës, të cilin e ushtron që nga tetori i vitit 2010.

59-vjeçari me origjinë nga Krajku, një fshat në Has të Prizrenit, pritet të ballafaqohet me drejtësinë në një proces për marrje të ryshfetit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, nën dyshimet për të cilat vepra u arrestua të hënën në mëngjes.

Prokurori i Departamentit të Përgjithshëm të Prokurorisë në Prizren u arrestua në zyrën e tij në objektin e kësaj Prokurorie, pasi dyshohet për marrje të ryshfetit për një lëndë të cilën po e trajtonte.

Kush është Beqë Shala?

Beqë Shala është i lindur në Krajk të Prizrenit, një fshat në zonën e Hasit.

Pasi shkollën fillore e përfundoi në vendlindje dhe gjimnazin në Prizren, Shala diplomoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës më 1992, në kohën kur arsimi në Kosovë zhvillohej paralelisht nga ai i regjimit të Millosheviqit.

Nga viti 2001, Shala punoi në institucione publike. Pesë vjet në Qendrën e Paraburgimit në Prizren si zyrtar për Punë Sociale

Pastaj, për dy vite si administror në Prokurorinë e Prizrenit e për një vit tjetër si bashkëpunëtor profesional në të njëjtin institucion.

Në vitin 2010, ai u zgjodh prokuror në Prokurorinë e Prizrenit. U dekretua në pozitë nga ushtruesi i detyrës së presidentit Jakup Krasniqi, më 22 tetor të vitit 2010.

Që atëherë, për 15 vjet, Shala punoi në Prokurorinë e Prizrenit.

Mbi 100 mijë euro pasuri

Beqë Shala ka një pasuri me vlerë mbi 100 mijë euro, sipas deklarimeve të tij pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.

Në formularin e deklarimit të pasurisë në vitin 2025, prokurori Shala deklaroi një shtëpi dhe oborr në emër të tij, me vlerë të përbashkët prej 55 mijë eurove.

Ai, deklaroi në pronësi të përbashkët dy vetura, secila prej tyre me vlerë prej 20 mijë eurove.

Në vitin 2024, prokurori deklaroi se mori një ‘kredi për ndërtim’ në vlerë 9.500 euro.

Një vit më vonë, kredinë e deklaroi të shlyer gati 90%, tregojnë të dhënat e Agjencisë së Parandalimit të Korrupsionit (APK). Shala, tha se i kishin mbetur 1.500 euro të borxhit të kredisë. /Paparaci.com

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button