Kushtetuesja rrëzon vendimin e Supremes, miraton padinë e parashtruesit të kërkesës për vërtetim të pronësisë kundër APK-së

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar aktgjykimin në rastin KI241/23,
të parashtruar nga Salih Salihi, në të cilin është kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë së
Aktvendimit [Rev. nr. 269/2023] të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 27 korrikut 2023.
Gjykata njëzëri vendosi që (i) të shpallë kërkesën të pranueshme; (ii) Aktvendimi [Rev. nr.269/2023] i Gjykatës Supreme të Kosovës i 27 korrikut 2023 nuk është në përputhshmëri
me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me
nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut;
(iii) Aktvendimi [Rev. nr. 269/2023] i Gjykatës Supreme të Kosovës i 27 korrikut 2023 të
shpallet i pavlefshëm dhe të kthehet në rivendosje në pajtim me Aktgjykimin e Gjykatës; dheqë (iv) të refuzojë kërkesën për moszbulim të identitetit.
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me padinë e parashtruesit të kërkesës për vërtetim të
pronësisë kundër Agjencisë Pyjore të Kosovës, i cili ka kërkuar vërtetim të së drejtës së
pronësisë për ngastrën kadastrale në vendin e quajtur “Zabeli i Kronit”, në fshatin
Prapashticë, komuna e Prishtinës si dhe lirimin e së njëjtës nga e paditura, për të cilën
parashtruesi i kërkesës pretendon se është pronar në bazë të trashëgimisë.
Gjykata Themelore ka refuzuar padinë e parashtruesit të kërkesës, me arsyetimin se nuk e ka
bërë të besueshme me prova materiale se i njëjti ka qenë pronar i paluajtshmërisë. Kundër
këtij Aktgjykimi, parashtruesi i kërkesës dorëzoi ankesë në Gjykatën e Apelit, të cilën kjo e
fundit e refuzoi si të pabazuar, me arsyetimin se vendimi i Gjykatës Themelore nuk ishte
përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore e as në shkelje tjera
të procedurës. Parashtruesi i kërkesës parashtroi revizion në Gjykatën Supreme duke
kërkuar që çështja të kthehet në rigjykim në shkallë të parë, e cila e hodhi si të palejuar
revizionin, me arsyetimin se parashtruesi nuk kishte përcaktuar vlerën e kontestit andaj,
sipas praktikës gjyqësore, Gjykata Supreme kishte marrë për bazë lartësinë në të cilën ishte
paguar taksa gjyqësore. Në këtë rast, Gjykata Supreme është bazuar në shumën prej
pesëmbëdhjetë (15) euro të paguara me rastin e paraqitjes së padisë nga parashtruesi i
kërkesës, e cila shumë përkon me kontestet në vlerë deri në 1,000.oo (njëmijë) euro. Andaj,
Gjykata Supreme konstatoi se vlera e kontestit është nën shumën prej 3,000.00 (tremijë)
euro dhe gjeti se revizioni është i palejuar.
Në vijim, Aktgjykimi sqaroi se në kërkesën e tij dorëzuar në Gjykatë, parashtruesi i kërkesës
pretendoi që përmes aktvendimit të kontestuar i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore
të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 46
[Mbrojtja e Pronës] dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata fillimisht sqaroi se u
fokusua ekskluzivisht në çështjen e shkeljes së mundshme të nenit 31 të Kushtetutës, në
lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, në kontekstin e shkeljes të së drejtës për
“qasje në gjykatë”, përkatësisht nëse lëshimet procedurale të gjykatave të rregullta kanë
pasur ndikim në hedhjen poshtë si të palejuar të kërkesës për revizion të parashtruesit të
kërkesës nga Gjykata Supreme, për arsye se kjo e fundit, kur vendosi për lejueshmërinë e
revizionit, mori një qasje formaliste, duke mos marrë parasysh lëshimet e mundshme
procedurale të gjykatave të shkallës më të ulët. Në këtë drejtim, Gjykata vlerësoi se thelbi i
ankesës kushtetuese kishte të bëjë me çështjen nëse Gjykata Supreme, në rrethanat e rastit
konkret, duke e deklaruar revizionin e parashtruesit të kërkesës të palejuar, ka zbatuar
formalizëm të tepruar, duke pamundësuar gjykimin e thelbit të çështjes që ndërlidhej me
vërtetimin e të drejtës së pronësisë.
Bazuar në të lartcekurat dhe në vlerësimin nëse e drejta e parashtruesit të kërkesës për qasje
në Gjykatën Supreme është cenuar, Gjykata (i) elaboroi parimet e përgjithshme të së drejtës
për qasje në gjykatë, të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të
Drejtat e Njeriut dhe të afirmuara përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese,
përfshirë këtu edhe (ii) parimet dhe kriteret e zhvilluara nga Gjykata Evropiane për të Drejtat
e Njeriut që ndërlidhen me kufizimin ratione valoris për qasje në gjykata të shkallës më të
lartë, (iii) për të vazhduar me aplikimin e këtyre parimeve dhe kritereve në rrethanat e rastit
konkret.
Aktgjykimi i Gjykatës në mënyrë specifike iu referua parimeve dhe kritereve të vendosura në
rastin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në rastin Zubac kundër Kroacisë, përmes
të cilit kjo e fundit kishte zhvilluar një test specifik në kuptim të kriterit të proporcionalitetit
të kufizimit të qasjes në gjykatat e shkallës më të lartë, si rezultat i pragut ratione valoris. Në
aplikimin e kritereve që ndërlidhen me pragun ratione valoris, Gjykata, në rrethanat
specifike të rastit konkret, vlerësoi (i) kriterin e parashikueshmërisë së kufizimit përmes
pragut ligjor, duke vlerësuar nëse praktika gjyqësore e Gjykatës Supreme është konsistente
dhe e qartë në lidhje me lejueshmërinë e revizionit; pastaj (ii) nëse kufizimi i qasjes në
Gjykatën Supreme mund t’i atribuohet gabimit të parashtruesit të kërkesës; si dhe (iii) nëse
Gjykata Supreme gjatë interpretimit dhe zbatimit të dispozitave ligjore në fuqi, që
ndërlidheshin me pragun e lejueshmërisë së revizionit, kishte zbatuar formalizëm të tepruar.
Në vazhdim, Aktgjykimi sqaron se nuk është kontestuese kompetenca e Gjykatës Supreme, e
përcaktuar me ligj, që para vlerësimit të kërkesës për revizion në merita të shqyrtojë
lejueshmërinë e revizionit në kuptim të pragut ratione valoris, bazuar në nenin 211 të LPK-
së. Megjithatë, Gjykata theksoi se thirrja e Gjykatës Supreme në dispozitën ligjore të
paragrafit 3 të nenit 211 të LPK-së dhe dhënia e arsyetimit pa shqyrtimin paraprak të
lëshimit të mundshëm procedural, se “Revizioni nuk lejohet në kontestet pasurore-juridike
në të cilat kërkesëpadia nuk ka të bëjë me kërkesat në para, me dorëzimin e sendit apo me
përmbushjen e ndonjë premtimi tjetër, po që se vlera e objektit të kontestit e treguar në
padinë e paditësit nuk e kalon shumën prej 3.000 Euro”, përbën formalizëm të tepruar në
interpretimin e rregullave ligjore, sidomos për arsye se Gjykata Supreme nuk ka marrë
parasysh nenin 36 (Pa titull) të LPK-së.
Gjykata në fund konstatoi se Aktvendimi i kontestuar [Rev. nr. 269/2023] i 27 korrikut 2023
i Gjykatës Supreme shkel të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës, të garantuara
me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës,
në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 [E drejta për një proces të rregullt] të KEDNJ-së. Gjykata
gjithashtu theksoi se konstatimi i shkeljes së paragrafit 1 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje
me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, vlen vetëm për rrethanat specifike të rastit konkret
dhe ndërlidhet vetëm me të drejtën e qasjes në gjykatë, përkatësisht në Gjykatën Supreme,
dhe në asnjë mënyrë nuk e paragjykon rezultatin e meritave të rastit.