Ky është qytetari që u sulmua nga deputeti Zemaj

Armend Zemaj, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është përfshirë në një përleshje me një qytetar, derisa ishte duke dhënë një intervistë në qendër të Prishtinës.
Zemaj thuhet se e ka sulmuar qytetarin pasi që ai dyshohet se e ka provokuar me fjalë.
Siç merr vesh TandemPress, i përfshirë në incident me deputetin Zemaj është Nuha Osmani.
Rastin e ka konfirmuar vetë deputeti Zemaj, i cili ka kërkuar falje për rastin e ndodhur.
“Në këto raste sulmi dhe fyerjesh të ulëta, sigurisht do duhej të ruaja qetësinë dhe dinjitetin në çdo rrethanë dhe pavarësisht provokimit, i cili nuk me ka ndodhë kurrë gjatë karrierës sime, dhuna, në çfarëdo forme, nuk është përgjigje e drejtë. Për këtë veprim, shpreh keqardhje dhe kërkoj falje publike”, thuhet në një reagim të Zemajt pas intervistimit në polici.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur rreth orës 15:00, në sheshin Ibrahim Rugova.
“Sot rreth orës 15:00 është pranuar informata për një konflikt fizik në sheshin Ibrahim Rugova në Prishtinë. Lidhur me incidentin palët e përfshira janë duke u intervistuar në polici. Për detaje shtesë do t’ju njoftojmë me kohë”, thuhet në njoftimin e policisë.



