
Gazetarja Blerta Foniqi-Kabashi ka reaguar ashpër pas mosvazhdimit të kontratës së punës për kolegen e saj, gazetaren e RTK-së Edina Avdiu, duke e cilësuar rastin si goditje të drejtpërdrejtë ndaj guximtarëve në redaksi dhe si “spastrim profesional” brenda transmetuesit publik.
“Edina Avdiut nuk iu vazhdua kontrata e punës në RTK, veç pse ka shfaq guxim, e jo nenshtrim, që fatkeqësisht sot ky është kriteri kryesor që nuk duhet plotësuar. Ky është spastrim profesional”, shkruan Foniqi-Kabashi në reagimin e saj, duke e lidhur largimin e Avdiut me refuzimin për t’iu bindur teksteve të porositura dhe kronikave të diktuara.
Sipas saj, Edina Avdiu po largohet nga RTK pikërisht sepse ishte ndër të paktat që nuk pranoi t’i shërbente propagandës në dëm të politikës editoriale të transmetuesit publik. “Edina nuk do të jetë më pjesë e RTK-së, sepse ishte ndër të paktët që guxoi të refuzojë leximin e teksteve të porositura, përgatitjen e kronikave të diktuara dhe, mbi të gjitha, të bëhej palë në cenimin e politikës editoriale të transmetuesit publik”, thekson ajo.
Foniqi-Kabashi nënvizon se ky largim ndodh në një moment tejet të ndjeshëm për gazetaren. “Prandaj, sot Edina mbetet jashtë RTK-së, pikërisht në kohën kur pret të bëhet nënë për herë të parë”, shkruan ajo, duke e vendosur rastin edhe në planin njerëzor e moral, jo vetëm profesional.
Megjithatë, ajo thekson se përjashtimi i sotëm nuk e përcakton të ardhmen e Avdiut, as të atyre që refuzojnë nënshtrimin. “Sot mund të ndihet e përjashtuar, por e nesërmja do të jetë për Edinën dhe për çdo Edinë tjetër që i thotë Jo nënshtrimit, e Po profesionalizmit, dinjitetit dhe njerëzores. Edinë, unë kam qenë dhe jam shumë krenare për ty 💜”, shkruan Foniqi-Kabashi, duke e cilësuar Edinën shembull të gazetarisë me integritet.



