Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se nga Brukseli ka pasur kërkesë që për çështjen e dinarit të ketë takim mes Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme.
Por, ai ka deklaruar se nuk do të jetë pjesëmarrës në këtë takim, pasi “çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut”, duke shtuar se do të vendoset javën tjetër se kush do të shkojë.
“S’ka kurrfarë zhvillimi. Ka kërkesë nga Brukseli që të mbahet një takim javën e ardhshme për çështjen e rregullimit të transferit të monedhave nga Serbia për Kosovë, por ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori, për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut. Unë shkoj atëherë kur diskutohet për marrëveshjen bazike, kështu që do të shohim se kush mund të shkojë që të bisedojë për çështjen e dinarit, por që nuk është nga ekipi i kryenegociatorit”, ka thënë Bislimi.
Sipas tij, emisari Miroslav Lajçak, i ka shkelur parimet “që i ka vendosur vetë”, duke thënë se është hera e parë që ka caktuar takim pa koordinim me palët.
“Lajçak më ka dërguar shkresën mua sepse vazhdimisht komunikon me mua. Por kësaj radhe mendoj që ai i ka shkel parimet të cilat i ka vendosur vet për arsye që është hera e parë që ka caktuar një takim pa dakordim me palët dhe është munduar që të përcaktojë edhe agjendën përkundër parimit që ai ka vendosur në vitin 2021 që asnjë temë nuk vendoset në agjendë pa dakordim të palëve. Por, ftesa ka ardhur në adresën time”, tha ai.