LDK-ja: Shtatorja e Leotrim Ahmetit të vendoset në oborr të Kuvendit
Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën drejtuar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës për vendosjen e shtatores së Leotrim Ahmetit në oborrin e Kuvendit të Kosovës.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, në “Facebook” ka thënë se vendosja e shtatores së Leotrimit në oborrin e Kuvendit do të shërbejë si një mënyrë e denjë për ta memorializuar të kaluarën e rëndë të Kosovës dhe për ta përkujtuar sakrificën e rreth 1 000 fëmijëve të vrarë gjatë luftës së fundit.
Ai ka shtuar se, “pas marrjes së pëlqimit të familjes Ahmeti, kërkojmë nga autoritetet e Kuvendit të Kosovës të ndërmarrin hapat e nevojshëm për ta realizuar këtë kërkesë dhe për ta kujtuar përgjithmonë historinë e rëndë të kombit tonë. Gjithashtu, dëshirojmë ta informojmë publikun se do të angazhohemi që e njëjta shtatore të vendoset edhe në kryeqendrat e vendeve të rëndësishme perëndimore”.
“Leotrim Ahmeti, fëmijë 7-vjeçar, u vra më 11 shtator 1998 nga shpërthimi i granatave të forcave serbe në oborrin e shtëpisë së familjes Ahmeti në Rezallë të Skenderajt, dhe copat e granatës ranë mbi fëmijët e nënës Shukrie Ahmeti, gruas së Malush Ahmetit, dëshmorit të Kosovës.
Shtatorja e Leotrimit, e punuar me mjeshtëri nga skulptori Sabri Behramaj dhe e vendosur në qendër të Skenderajt, është bërë simbol i së vërtetës historike të popullit të Kosovës”, ka shkruar Hoti.