Lumir Abdixhiku premton investime 1.5 miliardë euro për Prishtinën

Kandidati për kryeministër nga LDK, Lumir Abdixhiku, gjatë një tubimi në Prishtinë, tha se kryeqyteti duhet të jetë lokomotivë e zhvillimit kombëtar.

Ai premtoi investime 1.5 miliardë euro në katër vitet e ardhshme, duke përfshirë ndërtimin e Unazës së Jashtme, Qendrës Kombëtare të Sportit, Parkut Teknologjik, dhe përmirësimin e shkollave dhe institucioneve kulturore. “Sonte po flasim nga Kryeqyteti i Republikës, nga qyteti që jo vetëm e ka historinë e shtetit brenda vetes, por e ka dëshmuar edhe në zgjedhje se di të marrë vendime të mëdha. Prishtina ka folur. Prishtina ka zgjedhur. Dhe Prishtina, në zgjedhjet e fundit lokale, na ka dhënë një fitore të qartë, të pastër dhe të padiskutueshme.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë parti e parë. Dhe kjo nuk ishte rastësi, por rezultat i besimit, i punës dhe i vizionit. LDK nuk është parti e rastit në këtë qytet. LDK është themel i Prishtinës moderne. Është fryma që e mbajti këtë qytet gjallë edhe kur nuk kishte shtet, edhe kur nuk kishte institucione, edhe kur shpresa dukej e largët. Prishtina, në këto vite, nuk është ndihmuar është bllokuar.

Projekte janë ndalur. Investime janë sabotuar. Vendime komunale janë penguar. Kryeqyteti është trajtuar si kundërshtar politik, jo si zemër e shtetit. Dhe kjo është e papranueshme. Prishtina nuk është pronë e asnjë qeverie. Prishtina është e Kosovës”, ka deklaruar Abdixhiku.Abdixhiku theksoi se LDK është garancia për zhvillim të qëndrueshëm dhe shëndetësi dhe paga dinjitoze për punëtorët e sektorit publik.“

Prandaj dua ta them qartë, pa asnjë dilemë: ka ardhur koha që Prishtina jo vetëm të mos bllokohet më, por të ndihmohet me prioritet absolut. Kryeqyteti duhet të jetë lokomotivë e zhvillimit kombëtar, jo viktimë e inateve politike. Dhe LDK është garancia që kjo do të ndodhë. Ne vijmë me plan. Vijmë me shifra. Vijmë me vizion të qartë për Prishtinën. Së bashku me Kryetarin e Kryeqytetit, Përparim Ramën, jemi zotuar për 1.5 miliard euro investime në Prishtinë në katër vitet e ardhshme. Investime që nuk janë fjalë, por projekte konkrete që e ndryshojnë jetën urbane. Do ta ndërtojmë Unazën e Jashtme të Kryeqytetit, 29 kilometra gjatësi, që e çliron qytetin nga trafiku dhe e lidh zhvillimin urban me ekonominë. Do ta ndërtojmë Qendrën Kombëtare të Sportit në Bërnicë, me Stadium Kombëtar, Pallat të Sporteve, Pishë Olimpike dhe hapësira rekreative që e bëjnë Prishtinën kryeqytet sportiv të rajonit. Në mbi 60 hektarë do të ndërtohet Parku Teknologjik i Kryeqytetit, me Qendrën Kombëtare të Inteligjencës Artificiale dhe 45 milionë euro investim, sepse e ardhmja e Kosovës është dije, inovacion dhe teknologji. Kultura do të jetë pasaporta e Prishtinës. Mbi 100 milionë euro do të investohen për Teatrin e Ri Kombëtar, Operën dhe Baletin, Muzeun e Artit Bashkëkohor dhe Muzeun e Paqes dhe Rezistencës. Ky qytet meriton institucione kulturore të denja për historinë dhe ambicien e tij.

Për fëmijët e Prishtinës, mësimi tërëditor do të shtrihet në të gjitha shkollat fillore, me 200 milionë euro investim vetëm për Kryeqytetin. Kjo është barazi reale dhe mbështetje konkrete për familjet. Në nivel kombëtar, paga dinjitoze janë zotim i qartë: koeficienti 150 për rreth 80 mijë punëtorë, rritje të menjëhershme për mësuesit, mjekët, policët dhe ushtarët. Pensionet do të rriten për 36.2 për qind dhe barnat do të jenë falas. Në shëndetësi, 500 milionë euro do të investohen për Spitalin e Ri të Kosovës, që Prishtina të jetë qendër shëndetësore moderne për gjithë vendin”, shtoi ai.

info@tandempress.net

Artikuj të ngjashëm

Back to top button