
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushtaku, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti nuk dëshiron ta dorëzojë ekzekutivin dhe se është problem shumë i madh “kur udhëhiqesh nga një njeri që nuk dëshiron t’i përgjigjet Kushtetutës”.
Ajo ka thënë se LDK i ka përfunduar “detyrat e saj” për këtë çështje, duke e dorëzuar lëndën, dhe se tashmë mbetet të veprojë gjyqësori.
“Kemi ligje që e specifikojnë dorëheqjen e ekzekutivit. Detyrat tona i kemi përfunduar – ajo tashmë është pjesë e gjyqësorit. I kemi dorëzuar të gjitha dokumentet që dëshmojnë se kjo qeveri nuk po respekton obligimet e veta,” tha Lushtaku.
Ajo akuzoi kryeministrin për mungesë respekti ndaj rendit kushtetues dhe mungesë gatishmërie për t’iu përgjigjur institucioneve të drejtësisë.
“Ai nuk dëshiron ta dorëzojë ekzekutivin. Ky është problem shumë i madh kur udhëhiqesh nga një njeri që nuk dëshiron t’i përgjigjet Kushtetutës. Nuk e kupton parimin bazik të demokracisë,” shtoi ajo.
Në lidhje me votimin e fshehtë për kryetarin e Kuvendit, Lushtaku theksoi se në emër të transparencës, çdo deputet ka të drejtë të vendosë vetë.
“Në emër të transparencës, secili deputet është i lirë të votojë,” përfundoi deputetja e LDK-së.