Mbi 600 gjoba trafiku në kryeqytet brenda javës, të evidentuara nga veturat inteligjente

Policia rajonale në Prishtinë ka bërë të ditur se gjatë javës së kaluar, në lokacione të ndryshme dhe përmes aksioneve të ndara, janë realizuar gjithsej 210 urdhëresa të gjykatës. Prej tyre, 54 kanë qenë për vepra penale, ndërsa pjesa tjetër lidhet me kundërvajtje, seanca, verifikime dhe çështje të tjera procedurale.
Sipas njoftimit, pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtjen e dënimit, ndërsa ata që ishin dënuar me gjobë janë liruar pasi kanë përmbushur obligimet e përcaktuara në urdhëresa.
Aktivitetet policore janë shtrirë edhe në fusha të tjera të sigurisë. Gjatë kësaj periudhe janë sekuestruar shtatë armë zjarri të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe municion i ndryshëm.
Po ashtu, janë shqiptuar 3,939 gjoba për kundërvajtje dhe shkelje të ndryshme të rregullave të trafikut rrugor, prej të cilave 604 janë evidentuar nga veturat inteligjente dhe ato me radar mobil.



