
Ekipi i Gazetës Nacionale, gazetarja Eriola Cacaj, kameramani Drilon Namani, si dhe gazetari hulumtues i “Betimi për Drejtësi”, Flamur Kabashi, janë kanosur sot në Gjykatën Themelore në Gjilan – Dega në Viti.
Kanosja ndaj gazetarëve dhe kameramanit, të cilët kishin përcjellur seancën publike të një kontesti gjyqësor mes familjes Idrizi dhe Zeqiraj, ka ardhur në fund të seancës, derisa ekipi i gazetarëve dhe kameramani ishin duke u përgatitur për tu larguar nga salla ku ishte mbajtur seanca.
Ndërkohë, dyshohet se një anëtar i familjes Idrizi ishte afruar fillimisht tek kameramani i Gazetës Nacionale, duke i thënë diçka dhe pastaj i drejtohet gazetares Eriola Cacaj, gazetarit Flamur Kabashi dhe kameramanit Drilon Namani me gisht, duke e drejtuar në drejtim të qafës së tij dhe duke nënkuptuar prerjen e kokës. Personi që kreu kërcënimin është identifikuar si Arianit Idrizi.
Menjëherë pas këtyre zhvillimeve, për rastin është njoftuar gjyqtarja e rastit, Qëndresë Sejdiu dhe rasti është lajmëruar në Policinë e Kosovës.
Policia e Kosovës ka dal në vendin e ngjarjes, ku gazetarja Eriola Cacaj, gazetari Flamur Kabashi dhe kameramani Drilon Namani kanë dhënë deklaratat e tyre në stacionin policor në Viti për rastin.
Sipas procesverbalit të Gjykatës, në cilësinë e publikut në këtë kontest gjyqësor ishin evidentuar këta anëtarë të familjes Idrizi: Muhamet Idrizi, Fehri Idrizi, Arjanit Idrizi, Albin Idrizi dhe Rinas/Rinor Idrizi.
Policia tashmë ka hapur rast për kanosje gjatë kryerjes së detyrës së gazetares dhe kameramanit, ndërkaq ekipi i Gazetës Nacionale dhe Betimi për Drejtësi, janë shoqëruar nga zyrtarët policorë deri në dalje të Komunës së Vitisë.
Historiku i shkurtër i kontestit gjyqësor mes familjes Idrizi dhe Zeqiraj
Procesi gjyqësor ka të bëj me një kontest pronësor mes familjes Idrizi dhe Zeqiraj, ku familja Idrizi kanë paditur familjen Zeqiraj për anulim të një kontrate së shitblerjes së pronës.
Paraprakisht, kjo lëndë ishte gjykuar nga gjyqtari Raif Fazliu, por i njëjti ishte kanosur nga anëtarët e familjes Idrizi, ku ndaj njërit anëtar të kësaj familje tashmë veçse ka aktakuzë të ngritur për kanosje.
Ndërkaq, gjykimi i sotëm është zhvilluar pranë Gjykatës Themelore Gjilan – Dega Viti, tek gjykatësja Qëndresë Sejdiu.
Prona e cila është objekt gjykimi ndodhet në afërsi të Komunës së Kllokotit.



