MINT për njehsorët: U gjetën devijime, do të ketë gjoba për KEDS-in

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka konfirmuar se pas verifikimit, është vërtetuar se njehsorët e energjisë elektrike kanë qenë me afat të skaduar të vlefshmërisë, si dhe ka pasur devijime në datë dhe orë. 

Pas raportimit të Nacionales, MINT kishte themeluar një komision ad hoc për verifikimin e njehsorëve elektrikë të konsumatorëve që ishin ankuar. 

Sot, ky institucion ka konfirmuar se pas verifikimit laboratorik në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës, kanë dalur disa gjetje. 

“Pas verifikimit laboratorik në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës të njehsorëve të parë janë konstatuar këto gjetje kryesore: 

• Është vërtetuar se njehsorët kanë qenë me afat të skaduar të vlefshmërisë;

• Janë evidentuar devijime në datë prej rreth 2–3 ditësh krahasuar me kohën reale; 

• Gjithashtu është konstatuar se ekzistojnë devijime prej rreth 10–11 orësh krahasuar me kohën reale; 

• Matja e energjisë elektrike ka rezultuar të jetë në rregull dhe pa ndikim në saktësinë e konsumit të regjistruar;

• Është konstatuar se bllombat kanë qenë të paprekura dhe pa dëmtime”. 

Tutje, thuhet se MINT do të kërkojë nga ZRRE marrjen e masave konform devijimeve të konstatuara. Po ashtu, do të ketë gjoba ndaj KEDS-it.

“Me të marrë raportin e gjetjeve, MINTI do të kërkojë zyrtarisht nga ZRRE (Zyra e Rregullatorit të Energjisë) marrjen e masave konform devijimeve të konstatuara. Ndërsa, duke u bazuar në Ligjin nr. 06/L-037, neni 23, paragrafët 4 dhe 5, si dhe neni 46, paragrafi 1.3, nënparagrafi 1.3.2, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) do të shqiptojë gjoba ndëshkimore ndaj KEDS-it, si pronar dhe shfrytëzues i njehsorëve, për çdo gjetje që lidhet me afatin e skaduar të vlefshmërisë së njehsorëve” – thuhet tutje.

Artikuj të tjerë

Back to top button