Miratohet vendimi, 4.4 milionë euro i transferohen RTK-së

Punonjësit e Radio Televizionit të Kosovës do t’i marrin pagat së shpejti.
Ata, me shumë gjasë do t’i pranojnë dy paga në fillim të muajit dhjetor pasi Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë 4.4 milionë euro buxhet për Radio Telvizionin e Kosovës.
Transferimi i mjeteve nga buxheti i shtetit te RTK-ja është miratuar si vendim në mbledhjen e qeverisë të enjten.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati tha mjetet janë marrë nga kategoria e kursimeve, si pasojë e pamundësisë së miratimit të buxhetit për RTK-në në Kuvendin e Kosovës.
“Ndarja prej 4.480.000 euro për RTK-në, të cilat është dashur që të merren si kursime nga projektet ekzistuese në kuadër të organizatave tjera buxhetore”, tha Murati.
“Në pamundësi që të sigurohen pagat tash e sa kohë nga ana e Kuvendit, na është dashur që ne si qeveri të marrim këtë hap improvizues që të sigurohen pagat e punonjësve të transmetuesit publik”, u shpreh ai.
Vendimi i propozuar nga Murati është miratuar me unanimitet të plotë nga kabineti qeveritar.



